Është zhvilluar në pistën e stadiumit kombëtar “Qemal Stafa” në kryeqytet edicioni i radhës i turneut “Në nderim të figurave” në atletikë. Këtë vit, aktiviteti që gjithnjë e më shumë po merr përmasa ndërkombëtare, ka nderuar italianin Mario Pescante, ish-presidentin e Komitetit Olimpik Italian (CONI).Në këtë turne kanë marrë pjesë atletët më të mirë shqiptarë, që kanë testuar veten në prag të Lojërave të para Olimpike Europiane, që zhvillohen pas 3 javësh në Baku të Azerbajxhanit. Në pistë ishte edhe rekordmenia shqiptare e 1500 metrave Luiza Gega, që natyrisht fitoi në këtë garë.

Ajo u nderua pikërisht nga Pescante, që vlerësoi paraqitjet e saj në garat e fundit.Pescante u shpreh i kënaqur që nderohet nga Federata Shqiptare e Atletikës me këtë turne, duke falënderuar drejtuesit e FSHA-së, atletët dhe të gjithë pjesëmarrësit për këtë nder. Në turne morën pjesë atletë edhe nga Kosova, Italia, Maqedonia e Rumania.

Sa i takon rezultateve të arritura, atletët e Vllaznisë kanë bërë një paraqitje të mirë duke zënë disa vende të para. Kështu, Ardit Rrashi në garën e 100 metrave me kohën 11″27, Lulëzim Çengeli i pari në garën e 400 metrave me kohën 50″09 ndërsa Izmir Smajlaj në kërcim së gjati ka arritur një rezultat të mirë me 7.62 m. Në garën e kërcimit trehapësh, dy atletët e Vllaznisë Gledis Halluni dhe Durjon Idrizaj kanë zënë vendin e dytë dhe të tretë pas rumunit Adrian Daianu.

Gjergj KOLA

 

 

 

 

 

Ne podium, dy atletet e Vllaznise Gledis Halluni dhe Durjon Idrizaj