Kampionati kombëtar i basketbollit për meshkuj këtë vit për shkak të ndeshjeve të kombëtares, do të nisë më vonë, pikërisht në gjysmën e muajit tetor dhe për këtë arsye, ekipi i Vllaznisë ka vendosur që periudhën më intensive të përgatitjeve ta nisë këtë të hënë. Kjo bëhet e ditur nga trajneri Bledar Gjeçaj në prononcimin e tij për telesport.ak kur ka thënë: “Ditën e hënë do të nisim me stërvitjet e rregullta. Kjo nuk do të thotë se gjatë gjithë kësaj periudhe nuk kemi zhvilluar stërvitje sepse ajo më tepër ka qenë në kuadrin e një stërvitje të lirë por përderisa nisja e kampionatit është lënë të bëhet në gjysmën e muajit tetor për shkak të ndeshjeve të ekipeve kombëtare, atëherë edhe ne patëm pak më shumë kohë në dispozicion për të qëndruar pak më të lirshëm sa i takon procesit stërvitor. Megjithatë nga dita e nesërme do të nisë puna intensive për sezonin e ri dhe shpresojmë që edhe në të, t’ia dalim me sukses”. Vllaznia siç dihet është kampione në fuqi e vendit, madje fituese e tre titujve të fundit.I pyetur nëse edhe në sezonin e ri Vllaznia do të jetë pretendente edhe për fitimin e  titullit të katërt rradhazi, Gjeçaj do të shtonte megjithëse sipas tij duhet bërë shumë kujdes në merkato ngaqë ekipe të ndryshme kanë filluar të hedhin sytë nga basketbollistët e Vllaznisë duke u bërë ofertë, ai përgjigjet: “Sigurisht që objektivi ky do të jetë sepse jemi të vendosur për ta bërë një gjë të tillë. Megjithatë nuk do jetë e lehtë sepse mesa po shohim, edhe ekipet e tjera po lëvizim. Madje, disa prej tyre po tentojnë të marrin edhe lojtarët aktualë që kemi në skuadër duke u bërë oferta të mira. Unë besoj se ata nuk do ta lënë Vllazninë sepse pothuajse ua kemi plotësuar kërkesat që kanë patur por kurrë nuk i dihet. Shpresojmë që edhe Bashkia të mbajë fjalën për të na ndihmuar siç na ka premtuar dhe ne t’i kthejmë ndeshjet e basketbollit sërish në festë në Shkodër”.Pavarësisht deklaratave të Gjeçajt sigurisht që duhet lëvizur sa më shpejt në merkato pasi 2-3 ekipe kanë filluar të bëjnë planet për t’ia rrëmbyer titullin kampion asaj.
Gjergj KOLA