Kristiano Ronaldo u bë zyrtarisht golashënuesi më i mirë i historisë pas tripletës që shënoi kundër Totenhemit të shtunën në “Old Trafford”. Portugezi kaloi Jozef Biçanin (805 gola) dhe do të kërkojë sot ndaj Atletikos së Madridit ta thellojë rekordin e tij (807 gola) pasi i mungoi goli në Madrid në ndeshjen e vajtjes 3 javë më parë. Autori i 59 tripletave në karrierë, e ka skuadrën e Simeones rivalen e tij të dytë të preferuar.

37-vjeçari ka shënuar 692 gola me klubet dhe 115 me Portugalinë, ku ai mban gjithashtu edhe rekordin e golashënuesit më të mirë me kombëtaret. Rekordet e CR7 nisën në sezonin 2002-’03, me 5 golat e tij të parë për Sportingun e Lisbonës. Më pas u transferua te Junajtidi. Vetëm 6 gola në sezonin e parë në “Old Trafford”, plus 2 të parët me kombëtaren luzitane. Shifrat e tij vijnë gjithnjë në progresion, me 16 gola në sezonin 2004-’05 dhe 15 një vit më vonë.

Prej sezonit 2006-’07 ai kishte gjetur ritmin e një makinerie. Gjatë 3 sezoneve në të cilat Junajtidi do të fitonte titullin, Kristiano shënoi 28, 46 dhe 27 gola. Më pas erdhi transferimi në Madrid, ku gjatë 9 viteve u bë shënuesi më i mirë i gjigantëve spanjollë. Portugezi e nisi karrierën në “Bernabeu” me 34 gola në të gjitha kompeticionet gjatë sezonit 2009-’10. Por ky ishte vetëm fillimi, sepse numrat e tij bëheshin gjithnjë e më të frikshëm. Shënoi 56 gola, 69, 59, 62 dhe 66 në pesë vitet e ardhshme.

Në tri sezonet e fundit ai regjistroi 57, 56 dhe 54 (përfshirë golat me kombëtaren) dhe u largua prej Madridit me shifrën e çmendur të 450 golave në 438 ndeshje. Ai vazhdoi ta gjente rrugën e rrjetës me një konstante të frikshme edhe kur shkoi te Juve. Shënoi 31 gola për klubin dhe Portugalinë në sezonin e parë në Torino dhe 48 dhe 46 në sezonet pasardhëse.

Në aventurën e dytë në “Old Trafford” ku firmosi verën e shkuar, ka shënuar 24 gola deri tani, 18 për skuadrën e Rangnikut dhe 6 për Portugalinë. Atletiko është e paralajmëruar. Ylli portugez, i cili për herë të parë me skuadrën e “Colchoneros” u përball në sezonin e parë në “Bernabeu”, në vitin 2010, u ka shënuar atyre 25 gola në 36 ndeshje. Të vetmen skuadër që ka ndëshkuar më shumë është Sevilja (27 gola). Por CR7 ka dhënë 1 asist kundër andaluzianëve, krahasuar me 5 kundër Atletikos. Pasimet për gol e dërgojnë numrin e kontributeve të tij kundër kampionëve të Spanjës në 30 gola, më shumë se çdo skuadër kundër së cilës ai ka luajtur në karrierë.

Ronaldo ka regjistruar katër tregolësha në përballjet kundër skuadrës së Diego Simeones. Tre prej tyre i ka shënuar me fanellën e Realit, në vitin 2012 dhe dy në vitin 2017, përpara tripletës vendimtare me Juventusin në përmbysjen 3-2 ndaj Atletikos në 1/8-at e Ligës së Kampioneve 2018-’19. Në total, Ronaldo ka fituar 16, barazuar 11 dhe humbur 9 ndeshje kundër rivalëve të sotëm.