Sot në orën 10:00 në ambientet e “Shtëpisë së Futbollit” në kryeqytet, Asambleja e Zakonshme Zgjedhore e FSHF-së do vijojë punimet për zgjedhjen e presidentit të ri të FSHF-së dhe anëtarëve të Komitetit Ekzekutiv.

Në garë për kreun e FSHF janë Sulejman Starova, Armand Duka dhe Dritan Shakohoxha. Anëtarë me të drejtë vote janë 55 dhe përfaqësojnë klubet e Superligës, Kategorisë së Parë dhe Shoqatave Rajonale të Futbollit.

Kujtojmë se kjo është dita e dytë e kësaj Asambleje, që në datën 2 mars u mblodh dhe miratoi buxhetet financiare.

Me propozim të një prej kandidatëve dhe konkretisht Armand Duka, punimet e shtynë për sot dhe u miratuan nga delegatët, për shkak të situatës të tensionuar dhe përfshirjes së politikës në këtë proces.

Pritet që sot FSHF të ketë presidentin e ri me mandat katër vjeçar dhe anëtarët e rinj të Komitetit Ekzekutiv./newsport/