Shkruar nga Maringlen ZHIVANI
Besëlidhja po ndërton një skuadër me pretendime të mëdha për sezonin e ri, duke e bërë të qartë se synimi kryesor mbetet rikthimi në Superligë. Klubi lezhjan ka zyrtarizuar deri tani gjashtë afrime të rëndësishme, duke forcuar ndjeshëm organikën në prag të kampionatit të ri.
Me presidentin e ri, Pjerin Fushaj, në drejtimin e klubit, Besëlidhja duket se ka hyrë në një fazë të re, ku investimet dhe organizimi po shoqërohen me ambicie të qarta sportive. Drejtuesit po punojnë për ndërtimin e një ekipi konkurrues që të luftojë gjatë gjithë sezonit për ngjitjen në elitën e futbollit shqiptar.
Deri në këtë fazë të merkatos, pjesë e Besëlidhjes janë bërë Lorenc Trashi, Stivian Janku, Patrik Fetaj, Jesús Manuel Zabala, Ardit Topallaj dhe Antonio Delaj, futbollistë me eksperiencë dhe cilësi që pritet të rrisin ndjeshëm nivelin e skuadrës.
Merkatoja e klubit nuk konsiderohet ende e mbyllur, pasi drejtuesit vijojnë të jenë aktivë në treg dhe nuk përjashtohen afrime të tjera në ditët në vazhdim. Besëlidhja synon të rikthehet sa më shpejt në Superligë, ndërsa lëvizjet e deritanishme janë ndër më ambiciozet që klubi ka bërë në vitet e fundit.
Burimi: Gazeta “SHKODRA SPORT”


