Thomas Brdaric nuk është më trajner i Vllaznisë, teksa drejtuesit e klubit kuqeblu vendosën të mbyllnin para kohe marrëveshjen me 47-vjeçarin. Disfata e fundit shtëpiake në kampionat ndaj Tiranës me rezultatin 1-2 nxorri përfundimisht shkodranët jashtë garës për titull dhe në këtë formë e pësoi tekniku kroato-gjerman.

Ky i fundit kishte marrë drejtimin e Vllaznisë nga gushti i vitit 2020, ndërsa në sezonin e kaluar i dhuroi qytetit të Shkodrës trofeun e Kupës së Shqipërisë, teksa luftoi deri në fund për titullin kampion.

Ndërkaq, në këtë sezon, mungesa e vazhdimësisë e penalizoi, megjithatë bilanci i Brdaric në krye të kuqebluve është pozitiv. Gjatë thuajse dy viteve si trajner i Vllaznisë, Brdaric i ka drejtuar shkodranët në 77 takime zyrtare mes kampionatit, Kupës, Superkupës dhe ndeshjeve eliminatore në Europë.

Sa i përket bilancit të këtyre 77 ndeshjeve në krye të Vllaznisë, prej debutimit në ndeshjen e Kupës ndaj Devollit më datë 1 nëntor, Brdaric ia ka dalë të fitojë 39, të barazojë 21 dhe të humbasë 17 takime duke pasur një statistikë pozitive, por që gjithsesi tekniku është penalizuar për faktin se në Shkodër kërkojnë titullin kampion dhe këtë sezon kjo mundësi është thuajse tërësisht e venitur.

Bilanci i Brdaric në krye të Vllaznisë:

77 ndeshje zyrtare mes Kampionatit, Kupës, Superkupës dhe Europës

39 fitore, 21 barazime dhe 17 humbje