Vllaznia e boksit nuk po kalon ndoshta momente të mira kohët e fundit dhe sipas deklaratave edhe të trajnerit Zef Gjoni, ndoshta për herë të parë pas shumë vitesh, ajo nuk e nis kampionatin si pretendentja kryesore për fitimin e titullit kampion.

Kjo ngaqë shumë prej sportistëve cilësorë i janë larguar tashmë, ndërkohë që pjesa kryesore e ekipit tashmë është e përbërë nga djem të rinj kryesisht.

Këta të fundit, bashkë edhe me emra të tillë si Kajoshi, Vjerdha, Kapaj etj, kanë nisur prej kohësh përgatitjet për garën më të rëndësishme të vitit dhe duken në një formë shumë të mirë sportive.

Në fakt nuk kishte si të ndodhte ndryshe, sepse ekipi edhe sivjet është grumbulluar para kampionatit teksa ka qenë në pikën turistike të Zogajt për një periudhë dyjavore.

Një grumbullim i cili ka ardhur edhe falë sponsorizimit të bërë nga një emër shumë i njohur i boksit shkodran dhe ai shqiptar, Kristian Shytani. Ky i fundit siç dihet, prej dy vitesh ndodhet në Amerikë ku dhe është marrë sërish me boks.

Ai ka njoftuar trajnerin Gjoni se një pjesë të mirë të shpenzimeve që duheshin për këtë grumbullim do të mbulosheshin prej tij. Një gjest që ka prekur vërtetë të gjithë e që tregon mbi të gjitha solidaritetin dhe respektin mes sportistëve.
© shkodrasport.com