Paraqitjet katastrofike të Alessandro Florenzi, dëmtimi afatgjatë i Davide Zappacosta dhe problemet e vazhdueshme fizike të Leonardo Spinazzola i kanë sjellë jo pak telashe, Paulo Fonseca.

Tekniku portugez po vuan për të gjetur një lojtar stabil për krahun e djathtë të mbrojtës dhe kjo mund ta detyrojë të futet në merkato.

Drejtori sportiv i Romës, Gianluca Petrachi ka nisur punën për të gjetur një lojtar ideal për këtë post dhe një shqiptar gjendet në krye të dëshirave të tij.

Bëhet fjalë për Elseid Hysaj.

Shkodrani është pranë largimit nga Napoli dhe Roma shihet si destinacioni më i mundshëm.

Një mundësi të tillë e ka përmendur edhe agjenti i lojtarit, Mario Giuffredi, ndërsa “Calciomercato.com” raporton se Hysaj do të bashkohet me Romën që në janar.

Kontrata e mbrojtësit skadon verën e vitit 2020 dhe në janar është i lirë të gjej një marrëveshje me një klub tjetër.

Sidoqoftë, verdhekuqtë mund të gjejnë një marrëveshje me një tarifë të ulët për ta sjellë në klub menjëherë.