Pavarësisht lojtarëve të shkëlqyer që ka nxjerrë në vite, Vllaznia e volejbollit të meshkujve vetëm një titull kampion ka fituar e po ashtu edhe disa Kupa të Republikës. Tre prej këtyre të fundit janë fituar në vitet ’80 dhe njëri prej protagonistëve të këtij suksesi ka qenë edhe Gjon Çoba.

Jo më kot ai është vlerësuar si një “volejbollistët e shekullit” të SK Vllaznia gjatë vitit të kaluar, me rastin e festimeve të 100 vjetorit të këtij klubi. Duke folur në lidhje me këtë vlerësim, Çoba ndihet mjaft i lumtur dhe në një prononcim për emisionin “Sport Arena” në TV Rozafa është shprehur:

“Vlerësimi si një nga “sportistët e shekullit” të Vllaznisë në volejboll për mua ka qenë një surprizë tepër e madhe dhe që më ka dhuruar shumë emocione. Kisha dëshirë të isha prezent në atë ceremoni, por më lajmëruan me vonesë dhe e kisha të pamundur të vija në Shkodër atë ditë. U mërzita në fakt sepse një ceremoni e tillë nuk përsëritet më në jetë sepse ishte një moment i mirë për t’u takuar me kolegë e trajnerë”.

Gjon Çoba ka arritur majat e volejbollit italian dhe atij europian duke drejtuar ekipin “Modena” ka arritur të fitojë titullin kampion dhe kupën e Italisë dhe përpos kësaj Champions League dhe kupën CEV. Megjithatë, gjithçka sa i takon këtyre arritjeve, ai ia dedikon skuadrës së qytetit të tij të lindjes.

Kur e pyet atë se çfarë ka qenë Vllaznia për Gjon Çobën, vlerësimi që i bën nga ish- volejbollisti i kësaj skuadre në vitet 1980-1991 është vërtetë shumë interesant kur thotë:

“Vllaznia për mua është jeta, është karriera. Më ka dhanë emër, më ka dhanë mundësinë për të arritë këto suksese që kam arritë në Itali. Dua të them një gjë: Sa herë që vij në Shkodër, mua më çojnë këmbët vetëvtiu drejt pallatit të sportit. E bëj këtë çdo ditë, pavarësisht nëse është duke u stërvitur ekipi i meshkujve, i femrave, i të rinjve apo të rejave.

Shoh diçka pozitive në Shkodër, shoh të rinj e të reja me të dhana shumë më të mira sesa i kemi patur ne në kohën tonë”. Një nga momentet më të lumtura për mua ka qenë ai kur kam mësuar se Vllaznia u shpall kampione e Shqipërisë pak vite më parë, atëherë kur trajner ishte kolegu im Mark Kroqi. Isha i gëzuar se më në fund u shpërblye gjithë ai mund i bërë prej të gjithëve ne në vite”.
Gjergj KOLA