Ecuria e ekipit të Vushtrrisë në kampionatin e kategorisë së parë të futbollit kosovar ka qenë e shkëlqyer gjatë këtij sezoni teksa udhëheq renditjen dhe për më tepër, në 9 ndeshjet e fundit vetëm ka fituar.

Trajneri shkodran Samuel Nikaj po bën një punë jashtëzakonisht të mirë në krye të këtij ekipi dhe me shumë të ngjarë do ta çojë atë në Superligë në fund të sezonit.

Por faza e dytë e kampionatit ka nisur në fakt me një problem shumë serioz për Vushtrrinë. Portieri kryesor i saj, Fabio Gjonikaj (sezonin e kaluar ka qenë pjesë e Kamzës) në ndeshjen e parë të saj është dëmtuar rëndë sepse ka këputur ligamentin e gjurit dhe për rrjedhojë, ka mbyllur sezonin.

Të gjendur në vështirësi për gjetjen e një portieri tjetër dhe trajneri Nikaj për këtë arsye, ka hedhur sytë nga Shkodra ku i njeh mjaft mirë të gjithë kontigjentin e futbollistëve.

Dhe është ndalur tek Ardian Hila, 20 vjeçari që deri para pak kohësh ka qenë pjesë e Burrelit dhe ka preferuar ta marrë në Kosovë tek ekipi që ai drejton.

Hila në ndeshjen e javës që shkoi ka qenë në pankinë por me siguri që do të debutojë në ndeshjet e ardhshme dhe padyshim që kjo do të jetë një mundësi e mirë në karrierën e tij për të treguar vlerat që disponon sepse do të luajë me një skuadër pretendente.
© shkodrasport.com