Skuka dhe Bitri tashmë janë e shkuara e Partizanit dhe drejtuesit e kuq janë në lëvizje çdo orë për të gjetur zëvendësues të denjë për këta dy lojtarë.

Gazeta mëson se ata po lëvizin në disa fronte. Oferta për Xheredi Hilterman, i cili është pjesë e Almere Sitit në Ligën e Dytë holandeze, është ende aktive dhe shanset për ta veshur me fanellën e kuqe janë reale.

Nga ana tjetër, pavarësisht rezistencës së Trepçës, vazhdojnë negociatat për Kristian Mba, i cili është nën kontratë me klubin nga Mitrovica, që deri më tani ka kërkuar një shifër, që konsiderohet e kripur nga “demat”.

Mbrojtja gjithashtu është një pikë ku duhet ndërhyrje urgjente dhe Medin Bajrami e Rustem Hoxha vijojnë të jenë pista të mundshme. Gjithsesi, po shihet edhe për alternativa të tjera.