Vllaznia do të luajë ndeshjen e radhës ndaj Partizanit, e vlefshme për gjysmëfinalen e Kupës së Shqipërisë. Pas ndeshjeve të Kombëtares, futbollit shqiptar do të rikthehet me sfidat e Kupës dhe Vllaznia do të përballet me të kuqtë në transfertë. Ditën e djeshme, skuadra shkodrane është rikthyer në fushë, ndërsa ka patur lajme të mira për trajnerin Plori.

Erdenis Gurishta, Liridon Latifi janë rikuperuar nga dëmtimi dhe sot do të stërviten rregullisht me grupin, ndërsa Jonuzi u stërvit që dje me skuadrën. I vetmi që për momentin nuk është ende gati është Viktor Da Silva.

Braziliani vazhdon të ketë probleme dhe pritet të stërvitet rregullisht me skuadrën vetëm në fundjavë. Fantazisti do të jetë gati ndaj Partizanit dhe në këtë mënyrë, trajneri Plori do ta ketë të gjithë ekipin të gatshëm për një nga ndeshjet më të rëndësishme të sezonit.

Vllaznia është jashtë Kupave të Europës nga kampionati dhe Kupa është i vetmi shpëtim e për këtë arsye shkodrane do të tentojnë ta fitojnë për të dytin vit radhazi edhe pse konkurrenca është e madhe./newsport/