Fundjava e kaluar rezervoi një përballje kastastrofike për Vllazninë, siç ishte ajo ndaj Egnatias, teksa u mund me shifrat 3-0. Në lidhje më këtë, për gazetarin e mirënjohur sportiv shkodran, Gaspër Marku, Vllaznia është një skuadër që ka shumë probleme, të cilat duhen analizuar.

Marku ka folur situatën aktuale që po kalojnë shkodranët, teksa tha se presidenti Alban Xhaferi, duhet ta kapë sa më shpejt situatën në dorë, në mënyrë që kjo humbje me Egnatian, të mos ndikojë në ndeshjet e ardhshme.

“Kush e mendonte se Vllaznia do të merrte një humbje 3-0 ndaj Egnatias? Askujt nuk i shkonte ndërmend. Komentuam gjerë dhe gjatë ndërrimin e trajnerëve, komentuam gjatë problematikën. Trajneri Plori shfaqi entuziasëm të plotë, se do ta kalonte me tre pikë këtë ndeshje.

Edhe pyetjet që gazetarët i adresuan në konferencën e shtypit, ai i priti ndoshta me një besim të plotë që, nuk kemi presion në skuadër. Kemi kontigjentin e duhur, edhe pse ka mungesa.

Ndërtimi i formacionit ishte i tillë nga ana e stafit teknik, për të marrë fitoren, por doli e kundërta. Në fakt, janë edhe problemet e gjykimit.

Patjetër që, duhet ndalur dhe duhet çuar zëri jashtëzakonisht shumë, por në këtë ndeshje, siç e kanë pohuar edhe shumë specialistë të futbollit, ish-futbollistë të Vllaznisë, ato që i ndjekun prej së afërmi, ato që kanë luajtur në fushën e lojës, nuk ishte vetëm gjykimi. Ishin edhe shumë e shumë probleme tek Vllaznia, që duhen analizuar.

Stafi, presidenca duhet t’i kapë shumë shpejt në dorë këto situata, në mënyrë që, kjo humbje me Egnatian, të kthehet në një mësim, sepse janë rradhazi shumë shpejt edhe 10 ndeshje. 10 finale për Superioren në kampionat, duke mos lënë mënjanë edhe Kupën e Shqipërisë, që është mundësia e artë për të shkuar në Europë, por me këtë humbje, aq më tepër 3-0, me këtë shthurje taktike totale në pjesën e dytë, sidomos dy golat e dytë.

Edhe te goli i parë kishte shumë hapësira në mbrojtje, por u vërtetua që ishte offside. Të tjerat ishin gabime flagrante të prapavijës, të rreshtimit, pa llogaritur edhe shumë raste të tjera edhe në pjesën e parë, edhe në të dytën që, Egnatia fali.

Këto duhet të bëhen patjetër objekt diskutimi, analize nga stafi teknik, nga dyshja Plori me Milotin, dhe kolegun tjetër, Ideal Lekiqin. Natyrisht, edhe me drejtorin sportiv, Matko Djarmatin, por pa lënë mënjanë presidencën. Presidenca duhet të jetë më aktive se kurrë. Kam mendimin unë dhe gjithë Shkodra.

Të gjithë shkodranët kërkojnë nga z. Xhaferi të kapë skuadrën në dorë, të shkundë futbollistët, të shkundë stafin dhe t’i ndryshojë rrjedhën Vllaznisë. Nuk besoj se ka probleme të brendshme aq flagrante, sa për të shkuar deri në këtë shkallë.

Në fakt, ka opinione, ka thashetheme, ka diskutime edhe për grupazhe brenda skuadrës, për hatërmbetje. Ka edhe më tej, edhe më tej që unë e kam të vështirë t’i komentoj, por vetë Plori e pranoi në konferencën për shtyp se “ne jemi të qetë, nuk ka probleme brenda skuadrës dhe rrogat nuk kanë qenë problem”.

Ka një vonesë më tepër të zakonshme, sipas z. Dibra, sekretarit të klubit Vllaznia, që është shumë pranë këtij proçesi, rrogat te Vllaznia janë brenda limitit të premtuar, sepse ka skuadra të tjera në Shqipëri, që kanë shumë muaj më tepër, pa marrë rrogat përkatëse dhe nuk bëhet kaq dramë, por sidoqoftë edhe nëse ato probleme, janë të brendshme, presidenca duhet t’i gjejë. I ka mundësitë, i ka hapësirat, i ka njerëzit brenda, me të cilët punon dhe bashkëpunon.

Nëse ka probleme, të zgjidhen, të modifikohen dhe të sqarohen”,-tha gjatë prononcimit të tij, gazetari sportiv shkodran, Gaspër Marku.
Maringlen ZHIVANI