Pas ndeshjeve të Kombëtares do të rikthehet futbolli në Shqipëri. Në program janë planifikuar që të luhen gjysmëfinalet e Kupës së Shqipërisë, Partizani-Vllaznia dhe Teuta-Laçi, ndërsa me shumë mundësi këto takime do të luhen ditën e mërkurë më datë 30 mars.

Duke parë që “Air Albania” është mbyllur për shkak të finales së Conference League, Partizani do ta presë Vllazninë jashtë Tirane.

Të kuqtë do të spostohen në “Elbasan Arena” për të luajtur gjysmëfinalen e parë, ndërsa ndeshja e kthimit do të zhvillohet në “Loro Boriçi”.

Të dyja ekipet ndodhen momentalisht jashtë Europës nga kampionati dhe Kupa ngelet rruga e vetme për të shpëtuar sezonin. Si Partizani ashtu edhe Vllaznia do të kërkojnë t’i shkojnë deri në fund këtij kompeticioni dhe priten që të dy ndeshjet të jenë “zjarr”.