Në Shqipëri nuk e menduan për asnjë moment se do të kalohej në diskutimin për mbylljen e futbollit në tavolinë. Madje Armand Duka do të shprehej në emisionin “Opinion”, se Qeveria duhet që me patjetër të jap një përgjigje, pavarësisht sesi do të jetë vendimi i tyre përfundimtar, duke llogaritur edhe mbylljen e kampionatit para kohe.

Kjo pasi janë duke pritur shumë ekipe futbolli dhe lojtarë, që nuk dinë ende fatet e tyre. Dhe ky shqetësim i ngritur nga presidenti i FSHF-së mori edhe konfirmimin nga Safet Gjici, i cili u shpreh se nëse nuk do të ketë një përgjigje deri në datën 5 maj, atëherë është e kotë që të vazhdohet me gjatë.

“Jemi më mirë sesa Italia”, kështu e kemi të dëgjuar dhe ripërsëritur refrenin, por në vendin fqinj do të dalin skuadrat në stërvitje në 4 maj. Nga ana tjetër, në Shqipëri mungon ende përgjigja për fatin e futbollit. E një vendim i minutës së fundit, mund të jetë edhe një goditje e fundit për sportin.

Kryeministri i Shqipërisë ka shpërndarë planet më të reja për mënyrën sesi do të procedohet në ditët në vazhdim, ku në datën 18 maj mes disa lehtësirave, ndalohen aktivitet kulturore dhe ato artistike. Këtu nuk është i përfshirë direkt futbolli, por thuhet se nuk do të lejohen në asnjë mënyrë që të kemi grumbullimin e pesë personave qoftë kjo në ambient publik apo të hapur.

Pra të paktën deri në datën 25 maj nuk do të kemi një ndryshim për këto rregulla. Nëse e njëjta gjë do të zbatohet edhe për stërvitjet, mbyllja në tavolinë e Superiores do të ishte shumë pranë. /Sport Ekspres/