Dueli ndaj Lacios këtë të martë është një ndër sfidat më delikate për Milanin në fillimin e këtij viti.

Lacialët janë rivalë direkt për zonën Champions dhe Milani përveç të tjerave nuk ka luksin që të humbasë më pikë rrugës pasi është në ndjekje të Napolit që po ecën me një ritëm mbresëlënës.

Por trajneri Stefano Pioli ka marrë një lajm të keq para sfidës, pasi ka humbur shërbimet e një prej futbollistëve më cilësorë të skuadrës kuqezi. Kampionëve në këtë ndeshje do t’u mungojë mbrojtësi Teo Hernandez, për shkak të një problemi fizik.

Mediat italiane raportojnë se mbrojtësi francez ka një mbingarkesë muskulore dhe për të mos rrezikuar që ky shqetësim muskulor të përkeqësohet, është vendosur që ai të qëndrojë pushim për ndeshjen ndaj kryeqytetasve.

Kështu, Piolit do t’i duhet të improvizojë përsëri, për të gjetur një zgjidhje efektive në krahun e majtë i cili në këto sezone ka qenë pika me e fortë e kuqezinjve.