Juventusi nuk fiton, por reagon në mënyrën e duhur pas penalizimit të frikshëm me 15 pikë, të premten në mbrëmje. Skuadra e Masimiliano Alegrit, përpara syve të Xhon Elkanit dhe drejtuesve të rinj dhe një publiku që shfrynte kore kundër institucioneve të futbollit italian, shkon dy herë në disavantazh, por nuk dorëzohet dhe në fund merr një pikë të rëndësishme.
Bardhezinjtë tregojnë karakter dhe në fund rezulton një barazim 3-3 spektakolar, falë edhe magjive të Angel di Marias, por edhe freskisë së Lokmanit.
Nëse Argjentinasi shënon 1-1 me penallti dhe ndez aksionin e përmbysjes së Juves në pjesën e parë me një pasim fantastik me thembër për të arritur te goli i Milikut fluturimthi, Lokman nga ana tjetër iu kundërpërgjigj me dopietë, duke zhbllokuar në minutën e katërt pas një gafe të Sheznit dhe në të 53-ën dha avantazhin 2-3, pasi zbulimi i Atalantës në minutën e parë të pjesës së dytë kishte ofruar edhe asistin për 2-2 e Maehle.
Por në të 65-ën, kapiteni Danilo, që tregon pse meriton të mbajë shiritin pas Bonuçit, lëshon një predhë nga goditja e dënimit që dërgon shifrat në 3-3.
Gjithsesi, në minutat finale nuk ndodh më asgjë, edhe pse Mireti e kishte në këmbët e tij golin e fitores dhe e shpërdoroi keq. Ndërkohë, në fund të ndeshjes, ai që flet për momentin dhe për ndeshjen ishte heroi i Juventusit, Angel di Maria, që për herë të parë tregon lidhjen e ngushtë që ka krijuar me klubin bardhezi.
Angel, si e vlerësoni këtë pikë të marrë?
Është e rëndësishme, pasi gjatë ndeshjes bëmë disa gabime që na peshojnë, por edhe mjaft gjëra të mira. Nuk ishte e lehtë që të zbrisnim në fushë, pasi e pamë veten që të kalonim nga 37 në 22 pikë në renditje. Por ne duhet të vazhdojmë të punojmë mbi këtë mentalitet që treguam ndaj Atalantës.
Sa shanse ka Juventusi për të arritur në zonën Champions?
Duhet të tregohemi të fortë si grup. Juventusi ka një mentalitet fitues dhe kjo mund të bëjë të mundur ndjekjen e vendit të katërt.
Personalisht Di Maria, si e jetuat këtë moment?
Erdha në momentin më të keq të Juventusit, duke parë këtë problem aktual… Por jam shumë i lumtur këtu, ndihem mirë, pasi Juventusi është një skuadër e madhe dhe mund të rikthehemi fitues. E rëndësishme është që të jemi të fortë si klub dhe në çdo ndeshje të luajmë në sulm, siç bëmë kundër Atalantës.
Tifozët janë të shqetësuar pasi keni vetëm 1 vit kontratë. Kjo që ndodhi mund të ndikojë në të ardhmen tuaj?
Jo, sepse prioriteti im është familja dhe familja ime është e lumtur për mua te Juventusi, është e lumtur për jetën që bëjmë në Torino. Jam në klubin më të madh të Italisë, një ndër më të mëdhenjtë në Europë. Ndaj, ju garantoj se jam shumë i lumtur këtu.