Ndër gëzimet e pakta të Dinamos për sezonin e fundit ishte “zbulimi” i Simon Simonit. Debutoi me blutë në moshën 17-vjeçare, në ndeshjen ndaj Vllaznisë në “Elbasan Arena”, ku e ruajti portën të paprekur. Në një intervistë për “Panorama Sport”, gardiani flet për vitin e tij të artë, nga Shënkolli te Dinamoja dhe pastaj te Shpresat e në Kombëtare. Me shumë modesti i riu pohon se e ndien veten pjesë të dështimit të Dinamos. Zërat e merkatos i lë mënjanë, ndërsa i ka vënë qëllim vetes që një ditë të jetë titullar në Kombëtare.


Simon, një sezon me shumë fat për ju. Nga Shënkolli te Dinamoja, Shpresat dhe së fundi në Kombëtare. Si ndiheni kur e ktheni kokën pas?

Kur një lojtar arrin një sukses, ka shumë faktorë, si për shembull, puna, fati, talenti dhe përkrahja. Të gjitha këto janë bashkuar dhe unë ndoshta kam prekur shumë gjëra për 1 vit. E kam arritur falë përkrahjes apo besimit që më kanë dhënë trajnerët, të cilët duhet t’i falënderoj. Nuk është e lehtë t’i besosh portën një 17-vjeçari, sado i aftë të jetë. Prandaj, një pjesë e rëndësishme e atyre gjërave që kam arritur për 1 vit, janë meritë e trajnerëve.


Kur kaluat te Dinamoja, a mendonit se do të ishit titullar i saj kaq shpejt?

Të them të drejtën, unë kam luajtur në nivel profesionist që në moshën 14- vjeçare, në Kategorinë e Parë me Shënkollin. Dhe ky fakt më ka ndihmuar shumë të krijoj besim te vetja. Që do të debutoja e dija, pasi e kisha në kontratë një numër ndeshjesh. Për sa i përket titullarit, nuk është se unë isha portieri titullar i skuadrës. Ne kemi luajtur të 3 portierët gjatë sezonit. Gjithsesi, të luash për një klub me histori, si Dinamo, ishte ëndërr që e realizova.

Nëse për ju personalisht ishte sezon pozitiv, për Dinamon jo, pasi ra nga Superiorja. Pse ky dështim, sipas jush?

Nuk mendoj se ishte sezon shumë i mirë për mua, pasi edhe unë kam gabuar. Jam pjesë e dështimit. Dështimi mendoj se vjen për shumë arsye që nuk jam në gjendje të shprehem unë, sepse ndoshta gaboj.

Për çfarë ka nevojë kjo skuadër, që të kthehet në nivel konkurrues në Superiore?

Mendoj se ne duhet të kemi më shumë karakter dhe harmoni. Dinamo u krijua nga fillimi dhe duke qenë klub me histori dhe duke u rikthyer pas shumë vitesh në Superiore, pritshmëria ishte e madhe. Kam besim se do të rikthehemi aty ku na takon. Personalisht, dua t’u kërkoj ndjesë të gjithë dinamovitëve për rënien nga kategoria. Më vjen keq edhe për presidentin dhe për investimin që ai ka bërë.


Emri juaj është lakuar shumë në merkato për një kalim të mundshëm jashtë vendit. Si është situata aktualisht dhe ku do të preferonit të luanit?

Jam i fokusuar të përmirësoj ato gjëra që kam mangët. Këtë e shikoj si më të rëndësishme për momentin. Të ardhmen, të them të drejtën, nuk dua ta diskutoj. Zërat e merkatos mund të më shpërqendrojnë, sidomos mua që jam i ri. Jam natyrë që i kam vënë një qëllim vetes dhe nuk dua të lë asgjë mangët për çfarë më takon mua. Të tjerat i di klubi dhe njerëzit që unë u kam besuar për karrierën time.


Përfaqësues të Udinezes ju ndoqën nga afër ndaj Teutës, ku ju gabuat në rastin e golit të pësuar. Si e keni përjetuar atë moment?

Sinqerisht, kam ndier dhimbje shpirtërore për pikët që lamë atë ndeshje si ekip. Për sa i përket interesimit të Udinezes nuk jam mërzitur fare, nuk besoj se ndikon një gabim për të vlerësuar një lojtar. Ata shikojnë më gjerë mendoj.


Në një moshë shumë të re jeni thirrur në Kombëtare. Çfarë përshtypjeje ju la ai grumbullim i parë?

Normalisht, përshtypjet janë mbresëlënëse për mua. Çdo lojtar ka dëshirë të veshë fanellën e Kombëtares dhe jam i lumtur që e arrita këtë ëndërr.. Do të bej të pamundurën me punë, përkushtim, sakrificë, që një ditë të arrij të mbroj ngjyrat e kombit te Kombëtarja A. Është qëllimi im dhe ëndrra në karrierë për ta arritur.