Armando Cungu është padyshim një nga trajnerët më të mirë shkodranë, por jo vetëm. Ai ka qenë ish-futbollist, ish-drejtor sportiv dhe ish-trajner i klubit të qytetit të tij, Vllaznia në vite të ndryshme. Padyshim që, ai mbetet një nga trajnerët më të suksesshëm shkodranë, teksa ka shkruar historinë me ekipe të ndryshme.

Kështu, Armando Cungu ka lindur në Shkodër më 23-prill 1973 dhe karrierën e futbollit e ka nisur herët, pikërisht tek shkolla sportive “Xheladin Fishta”, në klasën e katërt dhe për katër vite me rradhë, deri në fund të klasës së tetë, aktivizohet me ekipin e shkollës nën drejtimin e mësuesit dhe trajnerit Agim Medja.

Me mbarimin e shkollës së futbollit “Xheladin Fishta”, ndërpret karrierën sportive për një periudhë tre-vjeçare, sepse komunistë të veshur me petkun e trajnerit, i heqin atij mundësinë që të aktivizohet me ekipet zinxhirë të Vllaznisë, atë të U-17 dhe të rinjve të U-19. Në moshën 17-vjeçare, duke parë dëshpërimin pasi ëndrra e tij për të vazhduar futbollin i ndërpritet, e ëma, të cilës profesor Armandoja i dedikon karrierën, nxit të vëllanë, Ben Çakun, një ish-futbollist i të rinjve të Vllaznisë dhe më pas i Veleçikut, për t’i dhënë një mundësi Cungut.

Kështu, ai e shfrytëzon më së miri këtë mundësi, duke treguar vlerat e tij. Duke luajtur për dy sezone me ekipin e Veleçikut, ai paraqitet mjaft mirë dhe kjo ngjall interes tek drejtuesit e Vllaznisë, natyrisht të shtyrë nga tifozët e shumtë shkodranë, që ndiqnin ndeshjet e Veleçikut. Për këtë arsye, Cungut i bëhet ftesa dhe në moshën 19-vjeçare, ai kalon direkt e në formacionin e Vllaznisë dhe do të vazhdonte që nga ai moment dhe për të vazhduar për një periudhë 9-vjeçare pa ndërprerje nga sezoni 1993-1994 deri në 2002-2003. Ka luajtur në rolin e mesfushorit të qendrës dhe e ka bërë më së miri këtë rol. Madje, edhe sot pas më tepër se 20 vitesh, kuqebluve u mungon një fantazist me cilësitë e tij.

Gjatë këtyre viteve, ka arritur të shpallet kampion me këtë skuadër në sezonin 1997-1998 dhe po atë vit, do të thirrej edhe në Kombëtare, por pa mundur dot të jetë pjesë e saj në ndeshjet e zhvilluara. Në vitin 1995, Armando Cungu ka patur shumë oferta për të luajtur me ekipe si Tirana, Partizani dhe Dinamo, por edhe shumë të tjera. Në sezonin 1998-1999, do të transferohej në kampionatin grek me ekipin Ethnikos, me të cilin luan një vit dhe largohet prej tij ngaqë do të shpërbëhej.

Cungu rikthehet tek Vllaznia në verën e vitit 1999, ndërsa një vit më pas kalon tek Luftëtari i Gjirokastrës dhe më pas tek Teuta e Durrësit. Në sezonet 2002-2004, do të rikthehet tek Vllaznia dhe më pas në atë 2004-2005, do të luajë tek Flamurtari i Prishtinës.

Ndërkohë karrierën si trajner, Armando Cungu do ta nisë tek Ada në janar të vitit 2006, duke arritur ta shpëtojë këtë skuadër nga rënia prej kategorisë, edhe pse kur mori drejtimin e saj ishte në një zonë të ftohtë. Në janar të vitit 2007, nis punën si zv/trajner tek Vllaznia me Mirel Josën, detyrë që do ta vazhdonte për tre vite me rradhë. Në vitin 2010 do të emërohej drejtor sportiv i Vllaznisë, post që do ta mbante deri në vitin 2012.

Në këtë vit, do të emërohej trajner i Kukësit, me të cilin shpallet nënkampion i Shqipërisë dhe ajo ç’ka është më e rëndësishmja, arrin deri në turin e katërt të Kupave të Europës, rezultat që nuk e kishte arritur më parë asnjë skuadër tjetër shqiptare. Në sezonin 2014-2015, merr përsipër drejtimin e ekipit të Laçit për një vit, me të cilin arrin të shpallet fitues i Kupës së Shqipërisë dhe të sigurojë kualifikimin për në Europa League.

Pas sezonit të parë me këtë ekip, Cungu filloi sezonin e tij të dytë në krye të Laçit në korrik, ku skuadra do të përballej me Inter Baku, për raundin e parë kualifikues të UEFA Europa League, 2015-2016. Në ndeshjen e parë në shtëpi, edhe pse bëri një paraqitje të mirë në përgjithësi në ndeshje, Laçi nuk shkoi më shumë se një barazim 1-1, duke lënë gjithçka të hapur për ndeshjen e kthimit. Në ndeshjen e kthimit, skuadra e Cungut nuk arriti dot të shënonte, teksa rezultati përfundimtar do të ishte 0-0, që do të thotë se Laçi do të ishte jashtë, për shkak të rregullit të golit si mysafir.

Më 12-gusht, në ndeshjen e parë të ekipit në sezonin e ri, Cungu fitoi trofeun e parë me klubin kurbinas në atë sezon, Superkupën e Shqipërisë, ku Laçi mundi Skënderbeun e Korçës në penallti, pas një barazimi 2-2 në kohën e rregullt. Më 31-dhjetor 2015, Cungu dha dorëheqjen si trajner i Laçit, pas rezultateve të fundit të dobëta.

Më 8-janar 2016, Cungu u emërua trajner i Vllaznisë, duke zëvëndësuar Armir Grimën për pjesën e dytë të sezonit 2015-2016. Ai u prezantua në media të nesërmen, ku nënshkroi një kontratë për një vit e gjysëm me ekipin shkodran.

Cungu bëri maksimumin e tij në atë periudhë, por shumë rrethana të ndodhura, e detyruan atë që të dorëhiqej në 2017. Pas Vllaznisë, Cungu u rikthye edhe njëherë tjetër te Kukësi dhe Laçi, duke qëndruar në krye të pankinave të këtyre dy ekipeve, rrespektivisht nga një vit.

Vitin e kaluar, ai mori detyrën si trajner i Kombëtares së Shqipërisë U-19, teksa duhet thënë se edhe aty me të vërtetë, ka bërë një punë fantastike dhe kolosale, në ndërtimin e brezave për të ardhmen. Kjo është karriera e Armando Cungut, teksa kudo ku ka luajtur ose trajnuar, i ka kryer me sukses këto detyra, duke lënë gjurmë çdokund ku ka punuar. Në të gjithë komunitetin e futbollit, Cungu njihet si një futbollist dhe trajner i shkëlqyer.

Në bisedat me profesor Cungun, e kupton se ai nuk mund të qëndrojë larg futbollit dhe këtë gjë do ta bëjë deri në fundin e jetës së tij. Padyshim që, Armando Cungu është dhe do jetë edhe një busull orientimi për të tjerët, për karakterin dhe seriozitetin e tij si njeri, për të gjithë ata që duan të merren me trajning.

Ky është Armando Cungu, i cili mbetet një emër i madh në futbollin shkodran dhe atë shqiptar, që meriton shumë rrespekt dhe vlerësim, për atë që ka arritur gjatë karrierës së tij. Vetëm suksese në vazhdim profesor Cungu! Shpresojmë që ndoshta një ditë të shohim sërish në krye të Vllaznisë, por kësaj rradhe për të të lënë të qetë në punën tënde, në atë që di të bësh më mirë, detyrën e trajnerit, larg atij presionit dhe problematikave që kishe vite më parë!
Maringlen ZHIVANI