Njeriut të golave të rëndë i mungonte vetëm “zonja e vjetër”. Olivie Zhiru ka ndëshkuar Interin, Romën, Lacion dhe Napolin. Të gjithë të mëdhenjtë. Dhe tani edhe Juventusi i është bashkuar falë një goditjeje me kokë të ngjashme me atë të Shevës në 2004-ën.

Në vend të Sedorfit kësaj herë pasuesi vendimtar ishte Davide Kalabria, por goli që vlen kualifikimi i tretë radhazi në Champions – njëzet vjet pas finales së fituar në Mançesteri kundër bardhezinjve – kujton goditjen e ukrainasit. Gjithmonë me kokë dhe vendimtar edhe në atë rast.

PËRMIRËSIMI – Zhiru po ndihmon Milanin duke përmirësuar veten. Me kërcimin e “Allianz”-it ai arriti në 17 gola për sezonin me një ndeshje të mbetur për të luajtur. Vitin e kaluar u ndal në kuotën 14, duke përfshirë 11 në Serinë A. Tani është dymbëdhjetë. Gjuajtjet e tij janë manifesti i atyre që dinë të ngrenë nivelin në momentet e duhura: në Champions ai shënoi kundër Napolit, Salcburgut (dopietë) dhe Dinamos së Zagrebit. Në kampionat francezi ka sjellë të paktën 12 pikë, duke përfshirë edhe tripletën kundër Sampdorias 10 ditë më parë. Ai nuk kishte shënuar aq shumë që nga viti 2016-2017, ai i tridhjetë vjetorit të festuar në Londër, në spondën e Arsenalit, një strofull i lumtur pas titullit të fituar me Montpelienë.

MALLKIMI – Zhiru ka mbetur i njëjtë si në Grenoblë, ai që u thoshte shokëve se nuk do të luante kurrë në Ligë 1. Dhe më pas e fitoi. Djali, të cilit dikush i pëshpëriti se një fantazmë me numrin nëntë endet në “San Siro”. “Ai ka qejf të ngacmojë këdo që mban atë numër”, thanë ata: Pato, Piontek, Luiz Adriano, Lapadula, Matri, Destro, Higuain, Andreé Silva, Fernando Torres. Zhiru dëgjoi, buzëqeshi dhe në fund mori 9. “Unë jam këtu për të thyer mallkimin”. Kështu kishin thënë edhe të tjerët. Ai ia doli. Kampion i Italisë në tokën e të parëve. Gjyshet e tij, Ivon Avogadro dhe Antonia Gaiato, njëra nga Trieste dhe tjetra nga Bergamo, i mësuan italishten dhe i përcollën dashurinë për Milanin. Me sa duket ishte e shkruar.

POSTIMI – Nëpërmjet videos së postuar në profilin e Milanit në “Instagram”, Olivie Zhiru ua ka kushtuar këto fjalë tifozëve kuqezi pas fitores ndaj Juventusit dhe kualifikimit të “djallit” në Champions League. “E siguruam vendin e katërt. Ia dolëm së bashku. Do të jemi sërish në Champions vitin e ardhshëm. Mezi pres t’ju shoh në ‘San Siro’ për ndeshjen kundër Veronës. Një përqafim i madh”, shkruante bomberi francez, i cili u shënoi të gjitha të mëdhave në këtë Seri A dhe me golin e fitores kundër Juves i siguroi Milanit 50 milionë euro fitime shtesë nga kualifikimi në Ligën e Kampioneve.