Kapiteni i Vllaznisë, Gilman Lika, e nisi ndeshjen e djeshme nga stoli, por në fund ishte ai që shënoi dhe vulosi fitoren e shkodranëve.

Zgjedhja e Mirsad Jonuz për të mos e nisur me mesfushorin 32-vjeçar habiti jo pak, por gjithsesi kjo lëvizje i dha të drejtë në fund trajnerit kuqeblu.

Pas ndeshjes, Lika foli për “Panorama Sport”, duke mos e fshehur gëzimin për fitoren. “Më në fund duhet të kalonin vite që Vllaznia të fitonte në Gjirokastër. Më vjen mirë që shënova gol, pasi për çdo futbollist kjo është kënaqësi.

Megjithatë, kjo fitore na vlen shumë për të ardhmen. Na rikthen qetësinë psikologjike, sepse realisht fitoret na mungonin dhe ishim nën presion. Goli? Nuk kam ndonjë dedikim të veçantë, rëndësi ka që vulosëm fitoren”, ka thënë fillimisht kapiteni kuqeblu.

I pyetur për vazhdimësinë dhe deri ku mund të shkojë Vllaznia, mesfushori mendon se skuadra e ka potencialin për të parë nga vendet e sipërme të tabelës. “Tashmë duhet të besojmë më shumë dhe të ngjitemi sa më lart në klasifikim.

Së pari, duhet të largohemi sa të mundemi nga vendi i tetë, më pas të shohim”, përfundoi Lika, i cili luan sezonin e tretë radhazi me kuqeblutë. Ai nuk e braktisi Vllazninë as në Kategorinë e Parë dhe është sërish një prej lojtarëve më të rëndësishëm të skuadrës. Javën e ardhshme Vllaznia do të luajë sërish në transfertë, këtë herë në Korçë ndaj Skënderbeut, një ndeshje e parashikuar për të shtunën në orën 16:00.