Pak ditë më parë u zyrtarizua si golashënuesi më i mirë i kampionatit maltez të futbollit dhe po ashtu edhe kampion i këtij vendi. Bëhet fjalë për sulmuesin me origjinë nga Shkodra, Kristian Keqi i cili prej një viti e gjysëm luan me Florianën dhe ditët e fundit ka njohur dy suksese me të.

Federata e këtij vendi ka vendosur ta ndërpresë përfundimisht kampionatin pas situatës së krijuar nga pandemia dhe në këto kushte, Floriana që mbante vendin e parë me tre pikë më shumë se La Valletta është kurorëzuar kampione, ndërkohë që Keqi është shpallur golashënuesi më i mirë.

Në 20 ndeshje ai kishte shënuar 14 gola, më shumë se gjithë të tjerët dhe po ashtu kishte dhënë 5 asist. Jo keq, për një sulmues që kishte luajtur kryesisht në kategoritë e ulëta të futbollit italian, vend ku ka lindur dhe është rritur.

“Do doja që këto trofe t’i fitonim në fushën e lojës, por edhe kështu nuk është keq. U shpalla golashënuesi më i mirë i kampionatit dhe kjo përbën një kënaqësi për mua. Po ashtu, edhe titulli kampion për ekipin tim Floriana më ka dhënë kënaqësi dhe jo vetëm mua por gjithë tifozëve dhe pjestarëve të kësaj skuadre sepse kishin 27 vite pa u shpallur kampion.

Klubi madje organizoi një festë të madhe dhe pikërisht prej kësaj u gjobit nga autoritetet shtetërore ngaqë nuk lejohen festat në këtë periudhë pandemie”- ka thënë Keqi gjatë një prononcimi në emisionin “Sport Arena” në TV Rozafa.

Ai ka lindur në Firence të Italisë nga dy prindër nga Shkodra dhe kuptohet që lidhjet me këtë qytet dhe me Shqipërinë i ka të forta. Duke e ngacmuar për të ardhmen e tij dhe nëse do të dëshironte që një ditë të vishte fanellën e Vllaznisë, Kristiani deklaron:

“Daja im është një tifoz i zjarrtë i Vllaznisë dhe shpeshherë më ka thënë se pse nuk vjen për të luajtur në Shkodër. Në fakt ekziston edhe ky opsion megjithatë për karrierën time vendos agjenti që kam. Aktualisht kam disa oferta si nga Floriana që dëshiron të rinovojë me mua, por edhe nga ekipe të tjera, por nuk përjashtohet si opsion edhe Vllaznia”.
© shkodrasport.com