Flamurtari ka zbritur në fushën stërvitore rreth orës 17:00 të së hënës për të nisur edhe një herë përgatitjet në prag të ndeshjes ndaj Vllaznisë. Vlonjatët presin ekipin kuqeblu të mërkurën në stadiumin “Flamurtarit”, teksa, siç dihet, pas masave të reja, do të luhet pa praninë e spektatorëve.

Nën drejtimin e trajnerit Marcelo Troisi, ekipi ka zhvilluar dje një seancë të plotë, por me shqetësimin se ndaj Vllaznisë mungesat do të jenë të shumta. Mbrojtësi Olsi Gocaj dhe mesfushori Kreshnik Nebihu kanë plotësuar numrin e kartonëve të verdhë dhe janë mungesa të sigurta.

Edhe nëse do të stërviteshin me ekipin që prej 18 majit, ata nuk do të mund të luanin dot për shkak të kartonëve. Po ashtu, as sulmuesi kryesor, Xhevahir Sukaj, nuk është i gatshëm për këtë takim. Shkodrani gjatë këtyre ditëve nuk është stërvitur në mënyrë sistematike me ekipin.

Mungesë do të jetë edhe greku Jorgos Sarris, por në fakt ky i fundit ka një kohë të gjatë që nuk luan dhe nuk mund të përbëjë më lajm mosprania e tij. Mbrojtësi ende nuk i është bashkuar skuadrës qysh prej ditës së parë të rinisjes së përgatitjeve.

Me sa duket, javët e mbetura të këtij sezoni do të jenë një formalitet për Flamurtarin, që thuajse ka prekur rrëzimin në Kategorinë e Parë, edhe pse ende jo matematikisht. E vetmja mundësi në këtë periudhë është aktivizimi i lojtarëve të rinj nga akademia.