Në futboll thonë se më shumë sesa loja e bukur në fund vlejnë tre pikët, por për të grumbulluar sa më shumë të tilla diferencën e bëjnë golat, madje sa më shumë rrjeta të tundura të ketë në një përballje, aq edhe më tërheqëse dhe interesante bëhet loja.

Në Superiore golashënuesi më i mirë deri më tani është sulmuesi i Tiranës, Redon Xhixha i cili e nisi vrullshëm kampionatin dhe ka arritur në kuotën e 10 golave, shifër e cila do të ishte shumë më e lartë nëse lojtari bardheblu do te vijonte atë ecuri edhe në 4 ndeshjet e fundit. Te Partizani golashënuesi më i mirë është Xhuliano Skuka, 5 rrjetat e 24-vjeçarit kanë qenë vërtetë vendimtare për ecurinë e të kuqve.

Ndryshe nga dy skuadrat e kryeqytetit, te Vllaznia bomberi vjen nga mesfusha. Herald Marku me 4 golat e tij ka marrë për dore kuqeblutë. Një futbollist që përveç se asiston shumë për shokët, depërton përpara dhe i jep zgjidhje shumë situatave.

Kharimanovic dhe Nonato, te skuadra e Erzenit janë dy lojtarë që kanë numrin më të lartë të golave përkatësisht nga 3 secili. Njëri mesfushor dhe tjetri sulmues, është pikërisht kjo dyshe që ka mbuluar gabimet në dy takimet e fundit të shijakasve duke i dhënë të paktën 1 pikë skuadrës.

Vendimtari te Egnatia është kongolezi 32-vjecar. Delarge shihet si njeriu i cili do i udhëheqë rrogozhinasit drejt triumfeve, deri më tani ka shënuar 3 gola.

“Laçi varet shumë nga Mentor Mazrekaj”- diçka të tillë e ka thënë edhe vetë trajneri Dejan Vukicevic. 33-vjecari është golashënuesi më i mirë te kurbinasit dhe gjithmonë kujdeset që ato të tijat të jenë përla. Ai është një pikë referimi dhe padyshim lideri i kësaj skuadre me 3 rrjeta.

Te Kastrioti, sulmuesi vrastar është Gabriel Morbeck, braziliani ka shënuar 3 herë pas 11 javësh kampionat, 2 të tillë madje i shënoi në ndeshjen e parafundit atë ndaj Bylisit.

Sa i përket skuadrës ballshiote, Beji e njeh mjaft mirë këtë ambient pasi nigeriani po luan sezonin e tij të pestë. Kjo e ka ndihmuar që edhe këtë sezon në elitën e futbollit shqiptar të bëjë një paraqitje mjaft pozitive. Por ende skuadra e Bellait nuk e ka një bomber pasi 23-vjecari ka shënuar 3 herë aq sa edhe Kaçorri.

Kukësi është skuadra ku asnjë deri më tani nuk e ka bërë diferencën brenda grupit. Basa, Barbosa, Daci dhe Zivkovic kanë shënuar nga 2 herë secili. Ndërsa për Teutën bomberin po e bën një mbrojtës edhe pse me vetëm 2 gola, Jazxhi po tregon dita ditës që është një lojtar vendimtar per “djemtë e detit” dhe shumë premtues. / Oversport/