Ada e Velipojës e ka nisur me një humbje 2-1 përballë Ilirisë së Fushë-Krujës kampionatin e ri. Ndeshja e luajtur në stadiumin “Redi Maloku” pasditën e sotme, ka folur kryesisht për futbollistët e Ilirisë, të cilët ishin më të saktë në lojën dhe rastet e tyre para porte.

Kështu, janë vendasit që e nisin shumë mirë lojën, duke shënuar me anë të Hasanaj në minutën e 25-të, i cili përfiton prej gabimeve të mbrojtjes së Adës. Trajneri Xhahysa shikon se diçka nuk po funksionon dhe në minutën e 28-të, aktivizon në fushën e lojës Nikën për Haxhinë.

Pjesa e parë do të mbyllej me rezultatin 1-0 për Ilirinë. Ndërkohë, në pjesën e dytë, vendasit do të shënonin edhe golin e dytë të ndeshjes, kësaj rradhe me Xhymertin në minutën e 64-të.

Pas pesë minutash, Ada reagon dhe me anë të Laçejës, ngushton diferencën në 2-1. Më pas, Ada ka edhe raste të tjera, por nuk arrin të realizojë golin e barazimit. Deri në fund, nuk do të kishte ndryshim të rezultatit dhe ndeshja do të mbyllej me shifrat 2-1 për Ilirinë, me velipojakët që pësojnë humbjen e parë dhe e nisin keq kampionatin e ri.

Megjithatë, pavarësisht kësaj humbjeje, këtë sezon Ada duket disi më ndryshe nga sezoni i kaluar, teksa është më e kompletuar dhe më kërkuese në fushën e lojës. /Maringlen ZHIVANI/

Iliria-Ada 2-1

Goli për Adën: Laçeja 69’

Formacioni i Adës (5-4-1): Ndoj, Sekja, Hurmi, Ferhati, Laçeja, Pali (Pjetri 46’), Qeleshi, Haxhija (Nika 28’), Curri, R. Xhahysa, Kaçubela (në dispozicion: Marku, Kaçoli) Tr: Altin Xhahysa