E premtja e 3 shkurtit 2023 do të mbahet mend gjatë nga mesfushori 19-vjeçar, Rejan Alivoda. Ai shënoi golin e parë në karrierën e tij me Vllazninë dhe për më tepër në një ndeshje shumë të rëndësishme që vendosi kualifikimin e kuqebluve në turin çerekfinal të Kupës së Shqipërisë.

“Jam shumë i kënaqur për golin, por më shumë për kualifikimin e Vllaznisë. Goli im i parë shkon për familjen, por edhe gjithë stafin që kanë besuar tek unë. Ia dedikoj gjyshit tim të ndjerë”, ka thënë fillimisht Alivoda pas ndeshjes me Bylisin, ndërsa foli edhe për vazhdimësinë e tij në skuadër dhe objektivat e Vllaznisë në kampionat dhe Kupë.

“Jam shumë i kënaqur me atë që po jap dhe shpresoj që të luaj sa më mirë dhe të justifikoj plotësisht besimin e stafit teknik dhe shokëve. Tashmë do të luajmë ndaj Partizanit, që është një sfidë shumë e fortë.

Partizanin e kemi mundur në fillim të këtij viti, pavarësisht se ka një ekip shumë të mirë. Fitorja e ndeshjes së fundit ndaj tyre na jep optimizëm që të bëjmë të njëjtën gjë edhe në ndeshjet e Kupës, duke u kualifikuar më tej”, deklaroi Alivoda, i cili komentoi edhe takimin e së martës.

“Ndaj Kukësit nuk do të jetë aspak e lehtë. Kukësi vjen nga dy fitore radhazi dhe me një moral të lartë. Por edhe ky kualifikim yni në Kupë na rrit shumë nga ana psikologjike dhe kam shumë besim se do të luajmë mirë dhe do ta fitojmë atë takim”, përfundoi talenti i Vllaznisë, i cili është titullar këtë sezon.