Bullgari 43 vjeçar Nikolay Gospodinov sot ka drejtuar stërvitjen e parë me ekipin e Vllaznisë dhe ndërkohë pak minuta më parë ka dhënë edhe një intervistë për mediat ku ndër të tjera është shprehur:

“Më ka bindur projekti i drejtuesve të Vllaznisë dhe padyshim që shpresoj se mund të bëjmë mirë në të ardhmen, duke filluar nga ndërtimi i ekipeve zinxhir dhe po ashtu edhe tek ndryshimi i situatës tek ekipi i parë.

Nga sa kam parë, lojtarët aktualë nuk janë në gjendje të mirë fizike, kjo kuptohet ngaqë është fundi i sezonit, megjithatë konstatoj se ekipi ka nevojë për përforcime. Kam marrë garancinë nga presidenti për të bërë 2-3 blerje lojtarësh të huaj cilësorë dhe po ashtu duke ofruar edhe ndonjë basketbollist tjetër vendas, ekipi do të marrë formë tjetër.

Kuptohet duke aktivizuar edhe një 18 vjeçar në skuadër dhe duke i dhënë përparësi edhe elementit tjetër të ri, mund të ndërtojmë ekipin që duam.

Natyrisht që nuk do të jetë e lehtë për të ndërtuar Vllazninë që presin të gjithë në një kohë të shkurtër sepse ekipe si Goga e Teuta kanë arritur një nivel të lartë dhe duhet pak kohë për t’i konkurruar ato.

Projekti ynë është që brenda një apo dy vitesh të ndërtojmë ekipin e duhur dhe duke patur edhe mbështetjen e tifozëve të zjarrtë shkodranë, që mesa kam parë janë ndër më të zjarrtit në Shqipëri, do ia dalim”.
© shkodrasport.com