Mbrëmjen e sotme, presidenti i Vllaznisë në basketboll Alban Xhaferi ka prezantuar para mediave trajnerin e ri të ekipit të meshkujve, bullgarin Nikolay Gospodinov.

Ndonëse firma në kontratë ende nuk është hedhur, duket se kjo është thjesht çështje kohe, megjithatë që sonte ai është prezantuar si trajneri i ardhshëm i kuqebluve, me të cilin mesa shihet do të niset një projekt afatgjatë.

“Në mes shumë kandidaturave që kemi studiuar për postin e trajnerit, kemi vendosur në fund për Nikolay Gospodinov, duke i besuar përvojës së tij, por edhe ambicjeve për të bërë gjëra të mira tek Vllaznia.

Jemi në fazën e finalizimit të marrëveshjes me të, megjithatë gjatë këtyre dy ditëve që trajneri është në Shkodër kemi parë infrastrukturën, kemi takuar drejtues e kemi hedhur shumë ide, si për ekipin e parë, ashtu edhe për ndërtimin e Akademisë së basketbollit, duke krijuar të gjithë ekipet, që nga U10 dhe deri tek U18.

Jemi të vendosur pikësëpari për të rikthyer ekipin e parë sërish në elitë dhe për këtë sot kam marrë edhe garanci e mbështetje nga kryebashkiakja Ademi në një takim që kam patur me të. Basketbolli shkodran jam shumë i bindur se ka për t’u rikthyer aty ku i takon të jetë dhe me trajnerin Gospodinov besoj se kemi bërë zgjedhjen e duhur”- ka thënë presidenti Xhaferi për gazetarët.
© shkodrasport.com