Ashtu siç ishte paralajmëruar më herët, gjatë ditës së djeshme në qytetin e Pukë kanë mbërritur disa biznesmenë italianë, të shoqëruar edhe nga një përfaqësues shqiptar, të interesuar për të investuar te Tërbuni. Sipas burimeve pranë klubit, procesi mund të nisë me blerjen e aksioneve të klubit, të cilat bashkia pritet t’i nxjerrë sërish në shitje.
Delegacioni italian është pritur nga kryetari i Bashkisë së Pukës, Rrok Doda, si dhe nga zëvendësi i tij, Ferit Rrigaj. Mësohet se investitorët kanë lidhje me futbollin italian, veçanërisht me investimet në futbollin e moshave në zonën e Bergamo, çka tregon se projekti i tyre synon të ndërtojë baza të forta dhe afatgjata.
Bisedimet mes palëve janë zhvilluar gjerë e gjatë dhe, sipas informacioneve paraprake, duket se është gjetur një gjuhë e përbashkët për të avancuar drejt marrëveshjes. Pas takimit në bashki, delegacioni vizitoi nga afër edhe ambientet e stadiumit “Ismail Xhemali”. Burime pranë tryezës së negociatave bëjnë me dije për “Panorama Sport” se prioriteti i investitorëve italianë, në rast se finalizohet blerja e klubit, do të jetë ngritja e akademisë dhe krijimi i grupeve zinxhir, me synimin për të furnizuar ekipin e parë me elementë cilësorë.
Në përfundim të vizitës, mësohet se pala italiane ka mbetur e kënaqur nga mikpritja, infrastruktura ekzistuese, pozicioni i stadiumit dhe pasioni i tifozërisë pukjane. Këta faktorë janë parë si elementë pozitivë për të çuar përpara projektin e investimit. Nëse negociatat përmbyllen me sukses, futbolli pukjan mund të hyjë në një epokë të re zhvillimi, me objektiva të qarta për rritjen e nivelit të klubit dhe rikthimin e Tërbunit në nivele më të larta të futbollit shqiptar.
Drejtuesit e Bashkisë së Pukës e shohin afrimin e investitorëve italianë si një sinjal shumë pozitiv dhe si “dritën jeshile” për ringritjen e futbollit në qytet. Pas mbylljes së sezonit aktual pritet të zhvillohet edhe një takim tjetër mes palëve, ku do të vendoset përfundimisht mbi privatizimin e klubit dhe modalitetet e shitjes. Nëse gjithçka shkon sipas planit, Tërbuni mund të jetë shumë shpejt protagonist i një transformimi historik, që mund ta rikthejë klubin në hartën e rëndësishme të futbollit shqiptar.


