Zhurma e krijuar ditët e fundit në media në lidhje me pretendimet e dy futbollistëve të Vllaznisë Xhevahir Sukajt dhe Armando Vajushit për t’u larguar, kanë marrë për herë të parë një përgjigje zyrtare nga ana e njërit prej drejtuesve më të lartë të klubit shkodran. Armir Grima, drejtori sportiv i Vllaznisë, i ftuar në “Arena Sport” në televizionin Rozafa, është shprehur kështu në lidhje më këtë çështje: “Tek Vllaznia nuk do mbajmë futbollistë me zor. Nëse Sukaj, Vajushi apo ndonjë tjetër, nuk e ndiejnë mirë veten këtu, të paguajë atë çfarë kanë për të paguar në klub dhe të largohen. Vllaznia nuk është bërë asnjëherë pengesë për largimin e lojtarëve. E rëndësishme është q ëtë mbajmë në rradhët e ekipit tonë lojtarë që kanë dëshirë, ego dhe që e përfaqësojnë me dinjitet fanellën dhe emrin e klubit. Kjo duhet të jetë e qartë për të gjithë”. Tashmë gjërat janë mëse të qarta. Rruga për largimin e këtyre futbollistëve është e hapur por para se të ndodhë kjo, me siguri që mes palëve do ketë edhe një bisedë të gjatë.