“Duhet të ketë një ‘Top të Artë’ për Lionel Mesin dhe një për të gjithë të tjerët”, bëri shaka Pep Guardiola përpara se të mbështeste ishlojtarin e tij dhe Erling Haland për të fituar çmimin e këtij viti. Argjentinasi, të cilin Guardiola e stërviti te Barcelona, regjistroi disa nga vitet më të mira të karrierës së tij në klub, kur të dy punuan së bashku në “Camp Nou” nga 2008 deri në 2012, ndërsa sulmuesi fitoi Kupën e Botës si kapiten i Argjentinës në Katar dhjetorin e kaluar.

Ndërkohë Haland shënoi 52 gola në 53 ndeshje në sezonin e tij debutues në “Etihad” pasi u bashkua nga Dortmundi në verën e vitit 2022, dhe e ndihmoi Sitin të fitonte një tripletë historike nën drejtimin e Guardiolës.

Në Spanjë kuptojnë se 36-vjeçari do të fitojë trofeun e 8-të të “Topit të Artë”, por duke bërë humor në konferencën për shtyp përpara ndeshjes së sotme me Brajtonin, Guardiola tha: “‘Topi i Artë’ duhet të jetë i ndarë në dy seksione: një për Mesin dhe një për lojtarët e tjerë”.

Por duke u bërë më pas serioz, ai shtoi: “Haland duhet ta fitojë, po. Ne fituam tripletën dhe ai shënoi 50 gola, nuk e di, miliona gola. Por sigurisht, nëse më pyesni për sezonin më të keq të Mesit? Ky është më i miri për pjesën tjetër të lojtarëve. Të dy e meritojnë, nuk di, çfarë të them? Me egoizëm do të thosha Erling, sepse ai na ndihmoi të arrijmë atë që arritëm. Do të më pëlqente. Por nëse Leo fiton, ata fituan Kupën e Botës. Është bukur që shumë lojtarë të Mançester Sitit do të jenë atje për herë të parë pas shumë vitesh dhe duke rivalizuar. Kjo na bën kaq krenarë”.

Skuadra e Guardiolës, e cila ka humbur tre ndeshjet e fundit në të gjitha kompeticionet, mirëpret Rodrin për vizitën në Brajton, pas një pezullimi prej tre ndeshjesh të mesfushorit spanjoll.

Guardiola ka vënë në dukje vazhdimisht ndikimin e mesfushorit të tij gjatë shpjegimit të rënies së papritur të formës së Sitit: “Ai është shumë i rëndësishëm. Ai do të mësojë nga kartoni i kuq. Ka dy faulle për Rodrin, ku arbitri nuk zbatoi rregullat. Pa këtë, ai nuk do të ishte përjashtuar. Është skandaloz faulli që ai pësoi dhe nuk u ndëshkua. Pas kësaj, Rodri duhet të mësojë. Ne duhet të kontrollojmë emocionet, të ngrihemi dhe të shkojmë. Por jam shumë i sigurt se ai do të mësojë”.

Siti do ta ketë në dispozicion sot edhe Xhon Stonsin, i cili luajti më shumë se një orë në fitoren e Anglisë ndaj Italisë të martën mbrëma.