Starti fantastik i Vllaznisë mund të ketë befasuar shumë tifozë, por jo lojtarët kuqeblu. Në kampionatin e kaluar, në të njëjtën periudhë, skuadra ishte në krye të renditjes, por me vetëm 12 pikë, ndërsa tashmë ka 16 pikë pas 7 javësh. Kapiteni Erdenis Gurishta, në një intervistë ekskluzive për “Panorama Sport”, tregon sekretin e suksesit të deritanishëm të shkodranëve dhe flet për sfidën ndaj Partizanit.

Erdenis, e mendonit që do të rezultonte një fitore e lehtë ajo ndaj Kastriotit?

Të them të vërtetën, mendonim një ndeshje shumë më të vështirë, por goli në minutën e parë i dha goditjen Kastriotit dhe prishi ekuilibrat e takimit. Ai gol rezultoi fatal për kundërshtarin, ndërsa neve na dha një motivim më të madh për të mbyllur sa më shpejt ndeshjen.


Çfarë ka ndryshe kjo skuadër në krahasim me atë të sezonit të kaluar pas 7 javëve të para kampionat në krye të renditjes?

Edhe në sezonin e kaluar e filluam mirë kampionatin, duke qenë gjithashtu në krye. Mirëpo, mendoj se në ndryshim nga viti i kaluar, këtë sezon bëjmë një lojë më shumë sulmuese. Nëse në kampionatet e kaluara kemi menduar më shumë për mbrojtjen, tani më tepër mendojmë që të sulmojmë. Besoj se kjo është strategjia e duhur.

A mund të themi se Vllaznia do të luftojë për titull këtë sezon?

Si kapiten që jam, ia kam kërkuar edhe ekipit që të qëndrojmë me këmbë në tokë dhe të mos përmendim fjalën titull. Deri tani gjithçka e kemi arritur me meritë, por është shumë herët për të folur për vendin e parë, prandaj duhet të vazhdojmë me këtë rritëm dhe t’i marrim ndeshjet sipas radhës.

Të dielën prisni Partizanin, është kjo një sfidë që mund të tregojë shumë për vazhdimësinë e kampionatit?

Çdo ndeshje ka rëndësinë e vet dhe ndryshon nga tjetra. Gjithmonë ndeshje të tilla si ajo Vllaznia-Partizani kanë dhuruar emocione dhe lojë të bukur, kështu që besoj se do të ndodhë edhe këtë të diel. Sigurisht që ne futemi në fushë për fitore dhe jam i bindur që do t’i marrim pikët e plota nëse luftojmë dhe sakrifikojmë për njëri-tjetrin. Mjafton të luajmë siç kemi bërë në ndeshjet e tjera dhe jemi OK.

Pavarësisht se është një kampionat i ngjeshur, te Vllaznia shikohet një freski fizike e ekipit. Mos ndoshta ky është çelsi i suksesit të deritanishëm apo janë disa gjëra në kompleks që po sjellin këtë ecuri?

Është e vërtetë që kemi freski fizike dhe kjo është falë punës së mirë që kemi bërë me stafin teknik. Edhe pse luajmë gati çdo tre ditë, mendoj se kemi kontigjentin e duhur dhe të plotë për t’i përballuar të gjitha ndeshjet.

Çfarë shikoni ndryshe te puna e trajnerit Brdariç dhe stafit të tij që ju bën përshtypje?

Normalisht që stafi ka një rol shumë të madh te ne dhe vetë ecuria e deritanishme. Perveç trajnerit Brdariç, që tashme dihet vlera dhe rëndësia që ka në ekip, mund të them se kemi një staf shumë të kompletuar me Plorin, Osjen dhe Lekiqin, të cilët janë njohës të mirë të kampionatit shqiptar. Por, me ne çdo ditë është edhe drejtori Matko Djarmati, që na ndihmon në çdo drejtim për të mirën e ekipit.

Ju vjen keq që në këtë ecuri fantastike mungon tifozëria shkodrane në stadium?

Po të ishin ndeshjet me tifozë në këto momente, do të ishim i vetmi ekip në Shqipëri që do të kishim minimumi 6 mijë të pranishëm në stadium në çdo ndeshje. Kjo do të ishte mbështetje e madhe për të gjithë ekipin, por do të ishte dhe diçka pozitive për klubin, sepse do të kishte shumë të ardhura nga biletat.