Partizani zhvilloi ditën e djeshme stërvitjen e radhës në kuadër të përgatitjeve për ndeshjen e së mërkurës ndaj Orikut për Kupën e Shqipërisë. Këtë herë gjërat janë më serioze se para disa ditësh, pasi sfida e parë është mbyllur me shifrat 0-0.

Trajneri Kolela me siguri do të aktivizojë një pjesë të mirë të titullarëve, por as në këtë betejë nuk do ta ketë grupin e plotë. Tre lojtarë nuk janë stërvitur me ekipin në ditët e fundit.

Bëhet fjalë për Romeron, Telushin dhe Cvetanoskin, të cilët vuajnë dëmtime dhe do të përpiqen të rikuperohen në kohë për ndeshjen e fundjavës në kampionat ndaj Kastriotit.

Gjendja e maqedonasit duket më e mirë, pasi ai dje është stërvitur një pjesë të seancës me pjesën tjetër të grupit. Gjithsesi, duket mjaft e vështirë që ai të arrijë të rikuperohet për Orikun.