Skënderbeu ndryshon plan për përgatitjet në mbyllje të fazës së dytë të kampionatit. Edhe pse prej kohësh flitej që korçarët pas ndeshjes së fundit të këtij viti do të merrnin pushimet për t’u rikthyer në ditët e para të 2024, gjithçka ka ndryshuar për sa i përket programit.
Ekipit i janë dhënë vetëm dy ditë leje nga ana e trajnerit Ivan Gvozdenoviç. Në të tilla kushte trajneri bardhekuq pret të gjithë lojtarët pa përjashtim ditën e sotme në seancën stërvitore të njoftuar sipas një programi të mirëmenduar.
Ndaj, prej së martës e deri në 30 dhjetor bardhekuqtë do të punojnë normalisht me seanca stërvitore dhe program të detajuar dhe specifik për të mbyllur kështu vitin 2023. Më tej lojtarët do të kenë vetëm 5 ditë pushimi dhe do të rikthehen në grumbullim në datën 4 janar për të filluar fazën përgatitore të periudhës dimërore.
Një ndryshim programi që është vendosur si një ultimatum nga kryepankina korçare që duket se pas festës së Krishtlindjes do të rikthehet sërish në Korçë për të punuar me ekipin.