Elbasani zbret sot në fushë përballë Teutës në një sfidë ku objektivi i vetëm është fitorja. Verdheblutë vijnë në këtë takim në kushte optimale, pasi grupi është pothuajse i plotë.
Të vetmet mungesa për stafin teknik janë mesfushori Loukili i dëmtuar, si dhe portieri Janaçek, i cili do të mungojë për shkak të kartonit të kuq të marrë në ndeshjen e fundit ndaj Partizanit. Në prag të kësaj përballjeje të rëndësishme, para mediave ka dalë trajneri i Elbasanit, Ivan Gvozdenoviç, i cili ka folur për gjendjen e skuadrës, kundërshtarin dhe objektivat e ekipit. Tekniku verdheblu ka vlerësuar maksimalisht Teutën, ekipin e vetëm që Elbasani nuk ka arritur ta mposhtë këtë sezon, por thekson se këtë herë situata mund të jetë ndryshe.
“Është një ndeshje si të gjitha të tjerat dhe ne jemi gati si gjithmonë. Kemi vetëm mungesën e Loukilit dhe të Janaçek, ndërsa pjesa tjetër e ekipit është në rregull. Do të zhvillojmë edhe stërvitjen e fundit dhe më pas do të vendosim për detajet, por më e rëndësishmja është që skuadra është në një gjendje shumë të mirë”, u shpreh fillimisht Gvozdenoviç. Më tej, trajneri ndalet te kundërshtari, duke pranuar vështirësinë e sfidës, por edhe duke shprehur besim te ekipi i tij. “Teuta është e vetmja skuadër që nuk e kemi mundur këtë sezon dhe këtë e tregojnë qartë statistikat. Kemi shumë respekt për ta, sepse është një ekip shumë i fortë, veçanërisht në fazën mbrojtëse, dhe ka cilësi në përbërje. Megjithatë, kjo është një tjetër mundësi për ne. Jemi gati, mendojmë pozitivisht dhe besoj se këtë herë mund të bëjmë diçka ndryshe”, theksoi tekniku verdheblu.
PENALLTITË E HUMBURA – Ai është ndalur edhe te çështja e penalltive të humbura gjatë këtij sezoni, duke e relativizuar këtë aspekt dhe duke mos e konsideruar si problem shqetësues për skuadrën. Sipas trajnerit, humbja e penalltive është pjesë e futbollit dhe ndodh te të gjitha skuadrat, ndaj nuk përbën një element presioni për lojtarët. “Jo, nuk ka presion. Çdo skuadër humbet penallti, jo vetëm Elbasani. Kjo është pjesë e futbollit. Kemi humbur penallti, por kemi shënuar edhe shumë gola nga pika e bardhë, kështu që jemi në rregull në këtë aspekt. Presioni ynë është sportiv: duam të qëndrojmë gjithmonë lart në renditje, të luajmë futboll të bukur dhe të kënaqim tifozët. Ky është një presion normal në futboll”, shtoi ai.
MERKATO – Në fund, Gvozdenoviç ka folur edhe për merkaton, duke u shprehur i kënaqur me lëvizjet e bëra nga klubi. Ai ka theksuar se grupi ekzistues është i fortë dhe i konsoliduar, çka ka bërë që të mos ketë nevojë për shumë ndërhyrje, sidomos sa i përket largimeve. “Jam i kënaqur me merkaton, sepse kam një grup të fortë dhe nuk patëm shumë lëvizje, sidomos në dalje. Kemi afruar Bojen, një lojtar shumë të talentuar. Presim edhe dy të tjerë, një “uinger”, i cili po vonohet për arsye burokratike dhe jemi shumë afër edhe me një sulmues. Me pak fjalë, gjithçka është në rregull dhe jam shumë i kënaqur me punën e klubit”, përfundoi Gvozdenoviç.


