E kam ndjekur me interes ecurinë e Vllaznisë në këtë nisje të sezonit të ri. Ndryshime të shumta, ndoshta të ekzagjeruara megjithatë kjo ishte zgjedhja e trajnerit Duro dhe drejtuesit e klubit ia plotësuan dëshirat. Unë kam dyshimet e mia për disa prej lojtarëve të blerë dhe në veçanti të dy sulmuesve. Kam parë dhe nuk kam parë por sulmues që rrinë 30 metra larg portës si Rexha nuk kam parë. Unë nuk dyshoj tek cilësitë e tij por mënyra se si po luan, lë shumë për të dëshiruar. Ai ka ardhur në Shkodër për të shënuar gola dhe nuk po e justifikon aspak besimin që i është dhënë. Por ai që më çudit më shumë është Vilfor Hysa. Një sulmues që gjithmonë kur ka luajtur kundër Vllaznisë “i ka rrasë petulla” ndërsa duke luajtur për të tani, nuk po bën asgjë. Ndoshta është çështje ambjentimi por nuk duhet të zgjasë më shumë kjo. Kam dëgjuar të flitet këto ditë për largimin e tyre në janar por besoj se drejtuesit e klubit nuk duhet të gabojnë në këtë mënyrë sepse mund t’u kushtojë rëndë. Nga informacionet që kam unë, disa prej futbollistëve malazezë që kanë luajtur me Vllazninë, e kanë çuar çështjen e tyre në UEFA ngaqë klubi shkodran u ka ndalur nga një rrogë sezonin e kaluar dhe kjo mund ta penalizojë atë me gjobë dhe zbritje pikësh. Sa i takon ecurisë së skuadrës në kampionat, përgjithësisht jam i kënaqur me të. Kemi gabuar atëherë kur nuk duhej gabuar, pikërisht me Apoloninë në Shkodër. Unë e kam thënë se e them. Sa herë që një skuadre i duhen pikë, më lehtë sesa i merr ndaj Vllaznisë, nuk i merr ndaj asnjë kundërshtari tjetër. Që nga ajo ndeshje skuadra fierake nuk ka marrë më pikë jo më në transfertë por as në Fier. Ajo që kam frikë unë është që të mos përsëritet e njëjta histori edhe me Tomorin këtë javë. Edhe kjo skuadër kërkon kthesën dhe Vllaznia është skuadra më e mundshme për ta bërë atë. Fakti që luhet në Berat, që në stadium do jenë “mistrecat”, të cilët natyrisht që do mbështesin fuqimisht ekipin e tyre dhe po ashtu, do “trembin” shkodranët që në fusha të tilla përgjithësisht e kanë treguar veten se janë “tuca” dhe kjo mund të çojë në ndonjë rezultat negativ për kuqeblutë. Unë nuk e dëshiroj aspak këtë gjë por diçka ma ndjen zemra sepse përvoja e mëparshme më jep të drejtë në këto parashikime. Për mua, më mirë Vllaznia do kishte luajtur dhe do kishte pretenduar të merrte pikë në Tiranë sesa në Berat, ky është realiteti i kësaj skuadre.
Habitem çfarë po ndodh me Hysën dhe Rexhën!
Opinion nga Ymer STRINIQI