Astrit Hafizi ka folur për çështjen e largimit të trajnerit Ramadan Ndreu dhe afrimin e Ernest Gjokës në krye të pankinës së Kukësit.

Ish-trajneri i Kombëtares kritikoi indirekt presidentin Safet Gjici, por edhe Gjokën i cili pranoi të rikthehej sërish edhe pse ishte larguar me polemika. Në panelin e emisionit “Gol pas Goli”, Hafizi deklaroi:

“Mos më pyet sepse e kemi përmendur 150 mijë herë këtë punën e largimit të trajnerëve. Këtu s’ka pikë logjike dhe arsyetimi. Çështja e kthimit të trajnerëve që kthehen sërish është për t’u diskutuar.

Nuk e di se çfarë i lidh në këtë mes kur nuk janë ndarë në mënyrë paqësore. E kuptoj që duhet të punojnë, por njeriu ka një dinjitet se është më i rëndësishëm se paratë.

Të paktën punon, punon me nder. Çdo kush tjetër e pranon dhe e han këtë lugë gjelle që në fillim.Po na dalin më të zgjuar presidentët se trajnerët. Më vjen keq për kolegët e mi. Nuk besoj se presidentët janë më të zgjuar se trajnerët. Trajnerët janë më të shkolluar, më të formuar, më të specializuar. Nuk besoj se presidentët janë kaq shumë të zgjuar”, përfundoi ai./newsport/