Esin Hakaj ndien keqardhje për mënyrën se si shkoi finalja e Superkupës kundër Tiranës. Mbrojtësi i majtë i Vllaznisë, në një intervistë për “Panorama Sport”, theksoi se detajet e vogla ndëshkuan skuadrën shkodrane. Pengu i 26- vjeçarit është fakti që ekipi nuk arriti të shfrytëzojë momentet e mira që pati për të thelluar shifrat pas avantazhit me Esat Malën. Hakaj është i bindur se disfatën në Superkupë, Vllaznia do ta shlyejë në kampionat, duke nisur një ecuri pozitive që nga ndeshja e së hënës në “Loro Boriçi” ndaj Egnatias.


Esin, një humbje në kohën shtesë ndaj Tiranës, por në një ndeshje ku e nisët me gol dhe u përmbysët. Si e shpjegoni?

Normalisht që të vjen keq për mënyrën se si humbëm. Ishim futur në fushë për të fituar trofeun, por gabimet e vogla na ndëshkuan. Keqardhja më e madhe është sepse ishim ne që kishim më shumë mundësi për të fituar, por që nuk arritëm t’i shfrytëzojmë momentet e mira që na u paraqitën. Zotëruam lojën, shënuam të parët dhe u ndëshkuam nga një gol, që nuk shikohet shpesh. Megjithatë, më duhet të theksoj se në pjesën e dytë loja nuk shkoi siç e mendonim.

Pse nuk shkoi si e mendonit?

U ndëshkuam shpejt, por sërish gjetëm forcë të reagonim dhe ia dolëm të barazonim. Ishin detajet që ndikuan. Duhet të ishim më racionalë dhe me pak më tepër fat, mund të ishim ne fituesit e Superkupës.


Fakti që munguan dy qendërmbrojtës dhe në këtë pozicion u spostua Gurishta, mendoni se kjo pati ndikimin e vet në skuadër?

Në një pozicion kyç si qendra e mbrojtjes, një titullar të të mungojë ndikon, jo më dy të tillë. Megjithatë, unë mendoj se lojtarët që luajtën në qendër e justifikuan plotësisht besimin e dhënë.

Mbështetja e tifozërisë ishte e madhe në Tiranë, ju vjen keq që nuk ia shpërblyet me Superkupën?

Tifozëria është e pandarë me ne. Më vjen keq që nuk arritëm t’i gëzonim. Ata përherë janë pranë nesh në çdo ndeshje dhe për më tepër në klasike. Besojmë që do t’ia shpërblejmë në takimet e ardhshme.


Rikthehet kampionati, të hënën prisni Egnatian që ju ka mundur thellë në fazën e parë. Është koha për revansh në këtë takim?

Na pret një ndeshje e fortë. Nuk ka asnjë skuadër që mund të thuash se do ta kemi të lehtë. E vërteta është se na ka shkaktuar humbjen më të thellë në këtë sezon dhe për këtë duhet që të bëjmë kujdes. Egnatia ka një ekip të mirë, por ne kemi vetëm një objektiv.


Që do të thotë se llogarisni vetëm tri pikë?

Padyshim. As që bëhet fjalë që do të kërkojmë maksimumin në këtë takim. Siç e thashë edhe më lart, nuk kemi asnjë objektiv tjetër përveç tri pikëve. Fusha mund të krijojë të tjera situata, por fitorja mbetet synimi parësor.


Duke parë diferencat mes ekipeve, mendoni se mund ta mbyllni vitin në vendin e parë pas katër ndeshjeve që do të luhen deri në fund të dhjetorit…?

Diferencat mes nesh dhe vendit të parë janë të vogla. Gjithçka luhet me një ndeshje dhe puna jonë është që të bëjmë maksimumin për të marrë pikët e plota dhe të mos shikojmë se çfarë bëjnë kundërshtarët. Dëshira që në fund të këtij viti të jemi më lart është sigurisht e madhe dhe mundësitë ekzistojnë. Unë kam besim se do të jemi edhe më lart pas këtyre katër takimeve, por gjithçka duhet që të merret sipas radhës. E kemi treguar se kemi një skuadër të mirë, kështu që besojmë.