Esin Hakaj e quan pozitiv fillimin e Vllaznisë në këtë vit kalendarik. Sipas tij, dy fitore në dy ndeshje tregojnë se shkodranët ndihen më të fortë dhe më të sigurt për vazhdimësinë. Mbrojtësi i majtë i ekipit të Josës shprehet se fitorja ndaj Partizanit e ka kthyer vrullshëm Vllazninë në garën për titull.

Në një intervistë për “Panorama Sport” Hakaj kërkon nga skuadra që të ecë me këtë ritëm dhe të qëndrojë me këmbë në tokë. Gjithashtu ai ka vlerësuar edhe afrimin e merkatos, sulmuesin Bekim Balaj.

Ky vit ka filluar më së miri për Vllazninë?

Është e vërtetë, nuk ka ku shkon më mirë, dy ndeshje, dy fitore. Të dyja kanë vlerat e tyre. Fitorja ndaj Partizanit tregon dhe njëherë për pretendimet tona, ndërsa ajo në Kupë ndaj Bylisit, bëri që të hedhim një hap para drejt kualifikimit për në turin tjetër.


Çfarë ka ndryshuar te kjo Vllazni?

Vitin që shkoi kemi bërë një mbyllje shumë të mirë me fitore dhe e nisëm në të njëjtën mënyrë. Mendoj se ekipi po del në lojën e vet dhe po shpreh një grintë tjetër. Ky mund të jetë ndryshimi i vetëm sipas meje. Megjithatë është vetëm fillimi dhe e rëndësishme është që të ruajmë ritmin.


Si e shikoni afrimin e Balajt?

Mund të them se do të rritet loja e ekipit në sulm, por ashtu edhe sulmi ka bërë mirë punën e vet. Për Bekimin s’kam çfarë të shtoj më shumë sesa ajo që ai ka arritur në gjithë këto vite. Është një vlerë e shtuar për ne që të kemi në majë të sulmit një lojtar si Balaj. Kur ke në skuadër një lojtar të tillë, edhe moralisht ekipi ndihet më mirë. Por duhet që të punojmë shumë mirë të gjithë në aspektin sulmues, që të dalë në pah edhe më mirë loja e Bekimit.