Sulmuesi shkodran Hamdi Salihi duhet pranuar se nuk i ka patur raportet shumë të mira me tifozët shkodranë. Fakti që nuk ka luajtur shumë me Vllazninë, apo ndoshta edhe ndonjë deklaratë e tij ku ai ka folur më shumë për Tiranën sesa për Vllazninë, ka bërë që mes tyre të ketë jo pak mëri.

Në lidhje me këtë gjë, ish- sulmuesi i njohur është prononcuar sonte gjatë emisionit “Sport Arena” në TV Rozafa përmes një lidhje me skype nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës ku jeton tashmë me familjen e tij.

“Gazetarët ndoshta kanë dëshirë t’i transformojnë fjalët dhe besoj se kështu ka ndodhur edhe në rastin tim, por unë gjithmonë kam thënë se jam krenar që kam luajtur me Vllazninë. Ai është ekipi që më ka bërë futbollist dhe do mbetet gjithmonë në zemrën time”.

Ai tashmë ka nisur rrugën si trajner dhe aktualisht është pjesë e stafit të kombëtares shqiptare duke punuar me Edi Rejën, por kuptohet që ambicjet e tij të ardhshme janë për të qenë vetë trajner i parë i një ekipi. Salihi nuk e ka të qartë se ku do të punojë, megjithatë, kur e ngacmon nëse një ditë mund të drejtojë Vllazninë, përgjigjet:

“Kur i hyn këtyre rrugëve, kuptohet që njeriu ka ambicje dhe ëndrra të mëdha dhe njëra prej tyre padyshim është edhe ajo që unë të drejtoj një ditë Vllazninë. Shpresoj që kjo të jetë në momentin e duhur dhe unë do të isha i lumtur nëse do ta realizoja një ditë”.
© shkodrasport.com