Hamdi Salihi nuk di te ndalet. Ai ka shënuar sërish për skuadrën e tij amerikane DC Junajted. Ka ndodhur kështu mëngjesin e së dielës kur në kuadrin e ndeshjeve të rradhës të kampionatit amerikan, DC Junajted ka pritur në fushën e tij ekipin e Torontos të cilin e ka mundur me rezultatin 3-1. Sulmuesi 28 vjeçar shkodran ka shënuar golin e tretë për skuadrën e tij në minutën e 73-të duke mbyllur kësisoj fatet e kësaj ndeshje dhe duke i dhuruar fitoren përfundimtare ekipit të tij.


Si gjithmonë edhe në rastin e këtij goli, ai ka qenë në momentin e duhur dhe në vendin e duhur brenda zonës kundërshtare. Ka ndjekur aksionin e skuadrës së tij nga e djathta e zonës dhe pasi topi ka shkuar në këmbët e tij, sigurisht që ka ditur ku ta çojë si gjithmonë. Ky ka qenë goli i katërt që Hamdi Salihi shënon në pesë ndeshjet e fundit që ka luajtur me DC Junajted. Këto shifra janë treguesi më i mirë i asaj se çfarë di të bëjë ky njeri.

 

Gjergj KOLA