Pol Pogba është në shitje dhe tashmë nuk ka më asnjë dyshim pas vendimit që ka ndërmarrë klubi anglez rreth francezit. Në momentin që do të hapet merkato, të gjithë klubet mund të hidhen në sulm për të, pasi “djajtë e kuq” janë gati ta lënë të largohet, për faktin e thjeshtë se do të hyjë zyrtarisht në vitin e tij të fundit të kontratës.

Në fakt, Mançester Junajtid kishte mundësinë që të zgjaste edhe me një tjetër vit marrëveshjen e tij me klubin, duke e shtyrë fundin e saj në vitin 2022.

Por klubi anglez ka vendosur që të mos e ushtrojë të drejtën duke mos aktivizuar klauzolën e vendosur në kontratën mes palëve e si rrjedhojë, Pogba zyrtarisht do ta mbyllë atë në qershorin e vitit 2021.

Kjo bën të qartë se Mançester Junajtid ka hequr dorë nga futbollisti dhe do ta largojë në verë, për të mos e humbur me parametër zero një lojtar i cili u ble për 100 milionë euro naga Juventusi.

Kështu, gjatë verës është e sigurt se do të nisë ankandi për kartonin e tij, me skuadra si PSG e Real Madrid që janë më të interesuarat për të blerë lojtarin./vipsport/