Kampionati shqiptar është ndalur prej më shumë se një muaj. Deri më tani nuk ka dal ende një datë zyrtare se kur mund rifillojë futbolli i luajtur. Në një intervistë për “Syri TV”, trajneri i Laçit, Armando Cungu u shpreh se ky kampionat nuk do të jetë njësoj. Tekniku shkodran është pro rifllimit të kampionatit, por me kushte normale pasi pa tifozë nuk mund të luhet një ndeshje futbolli.


Si kanë qenë këto ditë të stërvitjes në distancë, pasi siç dihet ju jetoni në Shkodër dhe lojtarët janë të shpërndarë dhe përgatiten nga programet që ju u jepni?

Besoj se dhe te neve, si në çdo ekip nëpër botë, lojtarët janë përgatitur nëpërmjet internetit, pasi ne i kemi dhënë një program stërvitor. Kjo është mënyra e përgatitjeve në këtë situatë që po kalojmë. Edhe kushtet këto janë, sidomos në sport që ka probleme të mëdha. Jo të gjithë i kanë mundësitë për tu stërvitur ashtu siç duhet, nga kushtet që janë.

A i kanë zbatuar lojtarët rregullat?

Me sinqeritet jam tepër i kënaqur për përkushtimin e tyre, për seriozitetin dhe profesionalizmin. Është e vështirë në këto kushte, pasi jo të gjithë kanë mundësi stërvitjeje në kushte shtëpie. Shqetësimi im është për kushtet që kanë. Ndonjë lojtar ka mundësi sepse ka shtëpi me oborr apo ka hapësirë, dikush në pallat. Ndryshe janë stërvitjet në qytet dhe mund të themi ndryshe mund të stërviten në një shtëpi në fshat. Këto janë shqetësimet e mia.

Si mund ta gjejë Laçin fillimi i kampionatit, ose të gjithë ekipet e Superligës?

Që do ketë problematika do të ketë. Për të zhvilluar një kampionat duhet të biem të gjithë dakord, të jenë kushte normale. Nuk bëhet fjalë tashmë për futboll cilësor. Të jem i sinqertë, kampionati deri në momentin që u pezullua ishte normal, tani s’mund të thuhet e njëjta gjë. Do të zhvillohet një kampionat thjesht për tu mbyllur, thjesht formal.

Gjendja fizike sa ndikon te një zhvillim normal i stërvitjeve dhe më pas i rifillimit të jetës dhe aktivitetit normal?

Për mendimin tim nëse je psikologjikisht mirë, je dhe mirë nga ana fizike. Në të kundërt, ka probleme. Ka sportistë që vendosin gurë dhe kunguj në vend të piketave. Nuk po dimë se deri kur do vazhdojë kështu. Durimi ka kufi, për fajin e askujt po shtyhet vazhdimisht data e rifillimit të kampionatit dhe në një farë mënyre kam shqetësimin se soset durimi. Është e vështirë më pas për të patur impulsin e duhur për të vazhduar dhe përfunduar punën që kemi nisur, pra të mbyllim kampionatin.

Jeni në vend të tretë, jeni pro rifillimit të kampionatit?

Nëse flas për interesa personale, jam i kënaqur me këtë pozicion që kemi dhe mund të thoja që kampionati të mbyllet siç përfundoi në Belgjikë apo Holandë. Besoj se më kuptoni si do të jetë vazhdimi. Nuk mund të luhet pa tifozë, sepse futbolli është krijuar për tifozët. Janë impuls i madh dhe prania e tyre është e domosdoshme. Pa praninë e tyre nuk mund të luhet. Nuk jam unë personi që vendos, por nëse do të ishte në dorën time, duhet të luhet në kushte normale.