Kriza që po kalon Vllaznia në kampionat ka futur në diskutime gjithë ambientin e futbollit në Shkodër. Përjashtim nuk bën as Apollon Haxhi, një njeri shumë afër sportit, por edhe ish-jurist i kuqebluve ka shprehur mendimin e tij për situatën që po kalojnë kuqeblutë duke e cilësuar të dështuar sezonin nëse nuk arrihet kualifikimi në Europë.
Haxhi u shpreh: “Vllaznia prej disa javësh është në një krizë, nga ku nuk po di të dalë. Edhe ndeshja me Laçin pavarësisht se kishte ndoshta ndonjë përmirësim ,nuk ishte rezultati që pritej në Shkodër.
Skuadra ka humbur dinamizmin dhe befasinë që kishte. Duket se edhe trajneri Plori ndryshon nga Brdariç, pasi duket se është një trajner që i kushton shumë vëmendje që të mos pësojë gol.
Por duhen marrë masa që kjo situatë të kalohet sa më shpejt. Dhe madje që nga ndeshja me Partizanin. Sezoni do jetë i dështuar totalisht nëse nuk merret një kualifikim në kupat e Europës.
Jo vetëm për objektivat sezonalë, por edhe për sezonin që vjen. Pasi nëse nuk gjenerohen para nga pjesëmarrja në kupat e Europës, skuadra do ketë probleme të mëdha në aspektin financiar”.
Endri ÇINARI