Partizani fitoi titullin e 17 si kampion i Shqipërisë pas një sezoni me mjaft rivalitet me Tiranën.

Drejtori Sportiv i ekipit të Partizanit, Olsi Rama, në një prononcim për Tv Klan, nuk e fsheh gëzimin edhe pse thotë se do të donte që të ishte më i qetë për të shkuar drejt titullit.

Olsi Rama thotë se për momentin është koha për festime dhe pushim. Por pas këtij trofeu vjen Champions League dhe duhet përgatitje.

– Sa e vështirë ishte për të duruar atë këmbimet e vendeve me Tiranën nga i pari te i dytë dhe anasjelltas. Si e ruajtët presionin? Si e mbajtët tensionin?

Po në qoftë se nuk i ke nervat që të përballosh edhe këto uljet dhe ngritjet atëherë nuk je bërë për këtë lloj sporti. Është pjesë e një sezoni sportiv. Do të kisha preferuar që të kishim qenë gjithë kohën në vend të parë dhe të isha shumë më i qetë, por këto gjëra ndodhin, e bëjnë më interesant këtë kampionat dhe në fund vjen edhe shpërblimi i merituar.

– E keni ndjekur vazhdimisht skuadrën edhe në stërvitje, edhe në momente të mira e të këqija, keni qenë pranë tyre, pranë lojtarëve. Sot si e keni përjetuar ju vetë ankthin e 90 minutave të fundit?

Padyshim që kam ndjekur ekipin, e ka ndjekur edhe gjithë pjesa tjetër e stafit, e ka ndjekur këtë vit nga pranë edhe Presidenti Demi me shumë insistim edhe me gjithë atë kujdesin e vetë. Sot isha më i qetë sepse kishim fatin në fushën tonë, edhe pashë dhe ekipin që ishte i përqëndruar edhe që po sulmonte i bindur për të marrë 3-pikëshin.

– Çfarë vjen pas kësaj?

Sigurisht që e para për momentin ne festojmë. Marrim atë shpërblimin e gjithë mundit që këta djemë kanë bërë për 1 vit. Të gjithë pushojnë por për më pak se 2 javë të gjithë duhet të kthehen që të përgatiten për Champions League, që fillon një sezon të ri dhe normalisht ne duhet të vazhdojmë të jemi gjithmonë ashtu si Partizani kompetitiv, të qetë në punën tonë, këmbëngulës që të arrijmë të marrim maksimumin.

– Ka diçka të veçantë e cila vërtetë e ka meritën e këtij suksesi?

Ka një gjë shumë të veçantë këtë vit që është ky stadium, është kurorëzimi i një ëndrre të tifozëve të Partizanit prej shumë kohësh, të jep atë qetësinë e duhur për të punuar. Është investimi i familjes Demi dhe prandaj dhe Presidenti ka qenë edhe më pranë ekipit. Është padiskutim e gjithë puna e stafit teknik, është edhe puna e lojtarëve. Është edhe guximi që klubi pati që në Janar duke qenë në vend të parë të shiste dy elementë shumë të rëndësishëm si Skukën dhe Bitrin me besimin që ky është futbolli i kohëve të sotme ku duhet patjetër të arrish t’i krijosh ato plusvalenca që të bëjnë më të fortë ekonomikisht edhe duke rrezikuar sepse mbase do ishte më e qetë me Bitrin dhe Skukën, por besoj që ata lojtarë që u afruan nuk i lanë gjë mangut. Mbaja e keni parë të gjithë se si e ka rritur performancën edhe se si të gjithë lojtarët e tjerë u ngjitën në lartësinë e situatës, përmend këtu Hadrojin, Rrapajn.