Jeta nuk ka qenë e lehtë, për Mustafa Cisse, të paktën deri një muaj më parë. I mbetur jetim kur ishte ende fëmijë, djaloshi i lindur në kryeqytetin e Guinesë Konakri, vend afrikan ku nuk numërohen më grushtet e shtetit, ai vendosi të braktisë atë pak që kishte duke emigruar në Itali, në 2019.

I riu 16-vjeçar kishte vetëm një aset, luante shkëlqyeshëm futboll. Por mbetej një refugjat, dhe pikërisht në një ekip amator i përbërë nga refugjatë gjeti personat që e mirëpritën të parët, në qytetin e Leçes, përballë brigjeve shqiptare.

Aty mbeti Cisse deri në janarin e këtij viti, patjetër duke shënuar gola të rëndësishëm që ndihmuan ekipin e tij të kalojë nga Terza Categoria italiane, që përkon me kategorinë e tetë të atij vendi, në atë të Shtatën (Prima Categoria).

Performanca e tij filloi të përhapet edhe jashtë rajonit të tij, dhe fushave pa spektatorë ku ishte mësuar të luante, aq sa vinjeta shohin edhe vrojtuesit e një ekipi prestigjioz si Atalanta, gjithmonë e vëmendshme në pikasjen e talenteve.

Cisse bindi drejtuesit e ekipit të Serie A që këtë sezon luajti në Champions League, dhe i ofruan një kontratë për ekipin e të rinjve. Një ëndërr për Cisse, por që u përmirësua dita ditës. Luan tre ndeshje, duke shënuar tre gola, dy kundër Milanit dhe një kundër Napolit.

Mund të mjaftonte për ta quajtur një histori me fund të lumtur, por me sa duket fati për Cisse ende nuk ka treguar gjithçka. Trajneri i Atalantës të së rriturve, Giampiero Gasperini, e thërret në ndeshjen kundër Bolognës, si pasojë e mungesës së disa sulmuesve titullarë.

Ndeshja paraqitet e vështirë, një barazim pa gola që mund të largojë ekipin, ku luan edhe kuqeziu Berat Gjimshiti, nga zona Champions. Në minutën 65 ndodh e pabesueshmja. Gasperini zëvendëson talentin Muriel jo në formë, pikërisht me Cisse.

I mjaftojnë vetëm 15 minuta atij për të përfituar nga një asist të Pasalic, duke shënuar një gol që i ndryshon jetën, duke e vendosur edhe si sulmuesin e dytë më të ri në historinë e klubit, 18 vjeç e 187 ditë. I pari është Diallo, që sot luan me Manchester United, që shënoi kur ishte 17-vjeçar. Ndoshta etapa e tij e radhës, duke parë ecurinë e pabesueshme të këtij muaji të bekuar për të./a2cnn/