Emanuela Rusta, Erinda Kume, Fatjona Borova bëhen tashmë zyrtarisht treshja e parë e gjyqtareve femra nga Shqipëria me stemën e FIFA-s. Ky sigurisht që është një lajm tjetër pozitiv nga Federata Ndërkombëtare e Futbollit (FIFA).

Më herët ka qenë Jona Borova gjyqtarja e parë asistente me stemë të FIFA-s, më pas ishte asistentja tjetër, Erinda Kume, e cila e mori këtë stemë. Pas një kohe relativisht 6-mujore të pajisjes së këtyre dy gjyqtareve tashmë me stemë të FIFA-s bëhet dhe gjyqtarja kryesore, Emanuela Rusta.

Nëse dy të parat kanë përfunduar zyrtarisht emblemat e gjyqtares së FIFA-s, për Emanuela Rustën mbetet vetëm ceremonia e dorëzimit të stemës, e cila do të bëhet më 27 janar në Lisbonë. Para disa kohësh, gjyqtarja nga Elbasani dha provat dhe e kaloi klasën.

FIFA ia ka konfirmuar këtë edhe federatës sonë të futbollit ku thuhet se tri gjyqtaret nga Shqipëria janë përfshirë në listat për t’iu nënshtruar testimeve dhe për të ndjekur seminaret, në mënyrë që të jenë të gatshme për edicionin e ardhshëm futbollistik që do të nisin që në muajin janar. Ato do të marrin gradën fillestare, pasi kanë kaluar testet dhe janë pajisur me stemën e FIFA-s.