Mesfushori i Realit, Federiko Valverde, titullar në “El Clasico”, u ankua për humbjen kundër Barcelonës, që e lë Madridin me pothuajse asnjë mundësi për të konkurruar për titullin.

Mesfushori uruguaian nuk ka dashur të polemizojë me gjyqtarët dhe vendimin e VAR-it për të anuluar golin e Asensios, duke e vënë theksin te loja jo fort bindëse e “los blancos”.

“Nuk dua të flas për gjyqtarët apo VAR-in. Mund të ishte në favor, por qëlloi të ishte kundër. Nuk mund të komentoj, sepse nuk e kam parë rastin, por ne duhet të fokusohemi te vetja, jo te VAR-i.

Jemi të trishtuar, sepse ishim të detyruar të fitonim dhe erdhëm për të fituar në Barcelonë, por nuk shfrytëzuam mundësitë që patëm në pjesën e dytë.

Barça luajti mirë në pjesën e parë, kurse në të dytën dominuam ne. Ndoshta duhet të kishim ngulmuar më shumë, sepse Barça m’u duk e lodhur fizikisht”, tha ai.