Ditën e djeshme kemi publikuar një lajm që bënte fjalë për stërvitjen individuale të mesfushorit brazilian të Vllaznisë Hygor Guimaraes Goncalev, i cili përme disa fotove të publikuara nga vetë ai, dukej i djersitur duke vrapuar nëpër rrugët e periferisë së Shkodrës.

Por mesa duket, vetë ai e ka kuptuar se një gjë e tillë nuk është e lejueshme nisur nga udhëzimet e fundit të dhëna nga Ministria e Shëndetësisë dhe Qeveria Shqiptare të cilët këshillojnë për një qëndrim në ambjentet e brendshme të shtëpisë për këtë periudhë.

Në këto rrethana, Hygor ka ndryshuar “strategji”. Sot ai ka publikuar përmes faqes së tij personale në rrjete sociale disa video ku ai shfaqet duke zhvilluar stërvitje brenda apartamentit ku ai jeton në Shkodër bashkë me bashkëshorten dhe djalin e tij.

Stafi teknik i Vllaznia u ka lënë porosi të gjithë futbollistëve për t’u munduar të bëjnë stërvitje individuale për të ruajtur formën me shpresë se ndeshjet e kampionatit do të rinisin së shpejti.

Më poshtë keni dy video që tregojnë atë se çfarë ka bërë Hygor gjatë ditës së sotme në korridorin e banesës së tij: