Elseid Hysaj është duke shqyrtuar mundësitë e largimit nga Napoli. Ylli i kombëtares sonë e ka humbur prej kohësh vendin e titullarit dhe duket se as ngjitja e Gatuzos në stol nuk do e shpëtojë të ardhmen e tij te Napoli. “Tuttosport” raporton se Roma dhe Juventusi janë në garë për shërbimet e tij.
Orët e fundit një tjetër opsion është në tavolinën e agjentit të Hysaj, Mario Xhufredi. Totenhem ka hyrë në garë për mbrojtësin. Murinjo ka hasur vështirësi për të gjetur një lojtar të denjë për idetë e tij në krahun e djathtë të repartit difensiv, me Aurier dhe Uoker-Peters, të cilët nuk bindin.
Hysaj është profili i lojtarit, që mund të përshtatet mjaft mirë me lojën e strategut portugez. E sigurt është se e ardhmja e shkodranit nuk do të jetë në “Sao Paolo”. Presidenti De Laurentis është në pritje të ofertës ideale për t’u privuar nga shërbimet e 25-vjeçarit. /VipSport/